Ka përfunduar takimi online i zhvilluar në mes Kryetarit të Federatës Sindikale të Pavarur të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Lamih Balaj, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.
Balaj gjatë këtij takimi paraqiti gjendjen alarmante që është krijuar pas bllokimit të llogarive bankare dhe rrezikun e operimeve ditore.
Ai kërkoi me urgjencë zhbllokimin e llogarive bankare dhe marrjen përsipër të përgjegjësive si Qeveri në gjetjen e një zgjidhje afatgjatë të këtij kontesti si dhe hapjen e rrugës së zhvillimit të përgjithshëm të Telekomit.
Ndërsa, kryeministri Hoti dhe ministri Kuçi, u zotuan për një zgjidhje të shpejtë të këtij kontesti, me hapa të qëndrueshëm që ky fenomen të mos përsëritet përsëri dhe njëkohësisht premtuan edhe një strategji të qëndrueshme afatgjate për zhvillimin e Telekomit të Kosovës Sh.A.
“FSP-PTK kërkon nga zhvatësi 10 vjeçar, pronarit të ish-Z mobile dhe përmbaruesit Mulhaxha që sa më parë t’ja kthejë llogaritë dhe mjetet e bllokuara Telekomit, në të kundërtën do të ballafaqoheni me 2300 punëtorë, të cilëve për çdo ditë me veprimet e juaja po i rrezikoni gjendjen ekonomike të tyre dhe operimin e kompanisë”, thuhet në njoftimin e FSP-PTK-së.
Gjithashtu, FSP-PTK kërkon nga anëtarët dhe punëtorët e Telekomit të Kosovës, të mos ndikohen nga individët brenda Telekomit të cilët thirren në emër të punëtorëve për interesat e veta personale.