image Kërkohet urgjentisht rifunksionalizimi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Kosovë

Kërkohet urgjentisht rifunksionalizimi i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

news image

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, tha se urgjentisht duhet të rifunksionalizohet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Ky institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në vitin 2011.

Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, atëkohë kryeministër Ramush Haradinaj, ai është mbyllur në vitin 2018. Ky institut ka publikuar disa libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.

“Urgjentisht po e përsëris edhe njëherë, duhet të rithemelohet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës për shkak se krimet që janë kryer në Kosovë, janë krimet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore, janë krime shumë të rënda dhe do ishte një krim i sërishëm nëse ne nuk e bëjmë hulumtimin e këtyre krimeve dhe evidentimin e tyre për gjeneratat e tashme, sidomos për të ardhmen të tregohet se çfarë sakrifice është bërë për çlirimin e Kosovës”, u shpreh ai për EO.

Lidhur me kapacitetet e vendit për t’i hetuar këto krime, Salihu tha që duhet të bëhet një organizim sistematik dhe thotë që është ironike nëse kërkohen të dhëna lidhur me numrin e vrasjeve, dhunimeve e plagosjeve dhe të mos gjinden.

Situata e Institutit sipas Salihut është shumë e keqe, duke e cilësuar të nevojshme që krimet të dokumentohen.

Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018.

Në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998 dhe 1999./Gazeta Sinjali/