image Kërkohet shtyrja e afatit për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale

Sociale

Kërkohet shtyrja e afatit për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale

news image

Në shkurt të vitit të ardhshëm do të përfundojë afati pesë-vjeçar për aplikimin e grave dhe burrave për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Nga Qeveria po kërkohet që sa më parë të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit, që ofron mundësinë e vazhdimit të këtij afati. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, po konsiderohet fatkeqësi, meqë numër i madh i viktimave ende nuk kanë deponuar historitë e tyre pranë këtij komisioni. Po ashtu, me mos-zgjatjen e afatit për aplikim thuhet se do të krijohet edhe vakum ligjor.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Leonora Selmani kërkon që sa më parë të procedohet ndryshimi i ligjit, që u mundëson grave e burrave të aplikojnë edhe pas kësaj date.

“Afati për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është i lidhur me plotësim-ndryshimin e ligjit, që i bie që është proces ligjor dhe duhet të ndryshojë ligji në Kuvendin e Kosovës që të bëhet një gjë e tillë. Po besoj që është afati i fundit kur do të duhej me menduar se a duhet me proceduar me plotësimin ndryshimin e ligjit apo jo. Në qoftë i shohim shifrat, e shohim që në krahasim me atë që është menduar që ka në Kosovë dhe që thuhet që ka dhe statistikat e kanë thënë dhe që është një numër shumë i madh prej 20 mijë viktimave- personave që kanë përjetuar dhunën seksuale në vend, i kemi vetëm 1846”, shprehet Selmani për kp.

Në Kosovë konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e burra nga forca policore serbe. Selmani shton se ky krim do të duhej të trajtohej edhe më tej nga komisioni.

Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti po bën thirrje që afati për aplikim në këtë komision të shtyhet.

Shtyrja e afatit për aplikim, Rushiti shton se duhet të bëhet në procedurë të përshpejtuar meqë ka mbetur kohë e shkurtër.

Gratë e burrat në Kosovë nga Kosova kanë pasur mundësi që të aplikojnë për statusin e viktimave të dhunës seksuale nga viti 2018. Por, në shkurt të vitit të ardhshëm përfundon afati për aplikim në këtë institucion. Ndërkaq në prill të këtij viti, qeveria ka zgjatur për tre vjet mandatin e komisionit.

/GazetaSinjali/