image Kërkohet që Sava Janjiq të hetohet për krime lufte në Kosovë

Kosovë

Kërkohet që Sava Janjiq të hetohet për krime lufte në Kosovë

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar hetime për igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, nën dyshimin se i njëjti ka kryer krime lufte, gjatë luftës në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.  

KMDLNJ vlerëson se Sava Janjiq duhet të hetohet për rolin e tij para dhe gjatë luftës në Kosovë për shkak të civilëve të ndaluar në Manastirin e Deçanit ku ishte thuaja përgjegjësi kryesor.

“Në bazë të deklaratave të dëshmitarëve dhënë KMDLNj në Deçan pas përfundimit të luftës në Manastirin e Deçanit përveç se ishin vendosur paramilitarët dhe forcat e rregullta serbe, policia dhe ushtria aty ishin rrahur dhe torturuar edhe shqiptarë të marrë peng. Manastiri i Deçanit ishte shndërruar thuaja në bazë ushtarake ku shpërndahej armatimi për serbët e mobilizuar. Pas kësaj informate të KMDLNj, abati i këtij Manastiri, Sava Janjiq e denoncon te OSBE, KMDLNj-në ndërsa OSBE i jep KMDLNj dy mundësi që të tejkalohet kjo çështje, e para që drejtori i KMDLNj -së, Behxhet Shala, t’ i kërkojë falje publike otac Savës dhe, e dyta që KMDLNj të përballet me gjyqin. KMDLNj nuk e bëri as të parën e as të dytën, por  këmbënguli të bëhen hetime rreth Manastirit të Deçanit dhe përfshirjes së mundshme të Sava Janjiqit në shkelje të Ligjeve të Luftës dhe të Drejtës Humanitare. Është pozitive që edhe përkundër atyre zhvillimeve nuk pati asnjë pasojë as për Manastirin e Deçanit e as për personelin”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ thotë se pas 21 vjetëve të përfundimit të luftës, të thuhet se Manastiri i Deçanit është i rrezikuar, është nonsens i llojit të vet aq më parë që nuk ishte rrezikuar as në kohën e veprimeve ushtarake.

Sava Janjiq, një klerik i mbështjellë me një pëlhurë demokratike ndërsa me një përmbajtje krejtësisht serbomadhe tani ankohet se shqiptarët dhe institucionet e Kosovës po e rrezikojnë Manastirin e Deçanit, nuk po i zbatojnë Marrëveshjet ndërkombëtare sikur as vendimet e gjykatave të Kosovës (Gjykatës Kushtetuese), në ndërkohë që nuk i pranon as institucionet e Kosovës, shtetin e Kosovës kurse vendimet e gjykatave i pranon në mënyrë selektive kur i përshtaten)”, thuhet tutje.

Sipas KMDLNj-së, Manastiri i Deçanit, jo që nuk rrezikohet nga shqiptarët apo institucionet e Kosovës por, edhe sipas Pakos së Ahtisarit dhe ligjeve në fuqi gëzon një status “extraterritorial”, me një fjalë ka pavarësi dhe mbrojtje të plotë prandaj po e keqpërdorë këtë për të shtrirë ndikimin e Serbisë në Kosovë duke e vënë fenë në shërbim të politikës. /Gazeta Sinjali/