image Kërkohet që çështja e të pagjeturve të jetë prioritet në dialogun me Serbinë

Kosovë

Kërkohet që çështja e të pagjeturve të jetë prioritet në dialogun me Serbinë

news image

Përfaqësuesi i Shoqatës për të pagjeturit “Përkorë” në Podujevë, Latif Mehmeti, kërkon nga qeveria në ardhje që t’i japë epilog çështjes së të zhdukurve në Kosovë.

Ai nëpërmjet një komunikate, ka theksuar se kësaj çështjeje duhet t’i japin prioritet institucionet e vendit në secilin takim të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Çdokush që do të udhëheq me negociatat Kosovë-Serbi, nuk e ka më luksin që të mos i ngrit çështjet e nxehta me Serbinë. Në çdo platformë të bisedimeve Kosovë-Serbi, çështja më me prioritet duhet të mbetet fati i të zhdukurve, veçanërisht i fëmijëve. Se ushtria dhe polica serbe nuk pati mëshirë ndaj fëmijëve, por edhe ndaj femrave, flasin argumente, si rasti i Leotrimit 7-vjeçar nga Rezalla e Drenicës”, ka thënë Latif Mehmeti nëpërmjet kësaj komunikate.

“Sa për ilustrim po i përmendim disa, nga numri i përgjithshëm i të zhdukurve në Kosovë 532 kanë qenë fëmijë, ndërsa 627 femra. Vetëm në një varrezë masive në Batajnicë nga 36 viktima, 14 kanë qenë femra, 9 fëmijë dhe një fetus 8 muajsh. Deri më tani vetëm nga varrezat masive nëpër vende të ndryshme në Serbi janë identifikuar 125 mbetje mortore të fëmijëve. Gjatë hulumtimeve për ndonjë varrezë masive në Rudnicë të Serbisë, trupat e parë që janë zbuluar gjatë mihjes së ekskavatorit kanë qenë të dy fëmijëve”, shkroi ai.

Përfaqësuesi i Shoqatës “Përkorë”, thotë se në Serbi ka dyshime edhe për disa varreza masive në rrethinën e Rashkës, Surdullicë, e cila gjendet afër kufirit Serbi – Bullgari dhe në disa vende tjera.

“Është rasti i vetëm ndoshta në botë që një shtet sikurse Serbia që kimet e bëra, të përpiqet t’i fsheh duke i bartur trupat e të vrarëve 500 kilometra nga vendi i krimit dhe t’i varrosë në vendet të ndryshme të Serbisë, si në Batajnicë afër Beogradit, Petrovo Sello afër kufirit Serbi –Rumnai, Peruçaci afër kufirit Serbi-Bosnje e Hercegovinë, pastaj hedhja e trupave të shqiptarëve nëpër lumenj, ndërtimi i objekteve –shtëpive mbi varrezat masive, etj”.

Sipas Mehmetit, edhe pse ka shumë argumente dhe dëshmi për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në vend, siç thotë ai, Kosova të jetë në ofansivë, ajo është në defansivë.

BE-ja po e merr si të mirëqenë gjykimin ndaj ish-drejtuesve të luftës, por në asnjë moment nuk po heziton të flas me Vuçiçin që ka qenë zëdhënës i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviqit”, ka theksuar Latif Mehmeti.

Të amnistohen vrasësit, dhunuesit, ata që i kanë zhdukur shqiptarët, që i kanë djegur shtëpitë tona dhe i kanë plaçkitur, ata që i kanë dhunuar motrat tona, kjo nuk guxon as të mendohet, dhe lëre më të diskutohet. Që nga paslufta që drejtoi OJQ-në ‘Përkorë’ për të zhdukurit, përvoja ime me familjarët e të zhdukurve është e njëjtë: ata presin eshtrat e më të dashurve të tyre. Andaj, puna e çdo qeveria është të gjenden eshtrat e më të dashurve të tyre dhe njëkohësisht ta marrin dënimin ata që kanë kryer krime. Pritjes duhet t’i vije fundi dhe të politikanëve të papërgjegjshëm tash e 21 vite”, ka shkruar ai. /Gazeta Sinjali/