Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës që kufizojnë aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve të industrisë HORECA, transmeton Gazeta Sinjali.
Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit cilëson se kufizimi i orarit të lëvizjes dhe ndalesa e përdorimit të ambientit të brendshëm në aktivitetet e subjekteve afariste si në restorante, bare, pube, pengon rimëkëmbjen e këtyre bizneseve dhe zhvillim të lirë të aktivitetit ekonomik në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, derisa një praktikë e tillë gjithashtu ka implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes.
Të njëjtin efekt ka edhe vonesa në zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike të lidhura edhe me vonesat në aprovimin e legjislacionit përkatës, e cila mes tjerash pamundëson edhe zbritjen e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në 8%. Kjo ndikon në rimëkëmbjen e bizneseve të kësaj fushe, derisa aprovimi më i shpejtë i ligjit do të kishte ndikim në lehtësimin e operimit të ndërmarrjeve të prekura nga ndikimi i pandemisë COVID-19.
Vendimi për kufizimin e lëvizjes dhe ndalesën e qëndrimit, ngrënies dhe pirjes në ambiente të mbyllura po ndikon negativisht në operimet e subjekteve afariste përmes kufizimit të numrit të klientëve.
Gjithashtu, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që në koordinim me ministritë dhe institucionet përkatëse të rivlerësojnë masat e vendosura, të lejojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura, në restorante, bare dhe pube gjithmonë duke respektuar masat e vendosura nga IKSHPK-ja, të largojnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe të bëjnë votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.