Elbasan Karaçica është emër i njohur për institucionet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë. Ndonëse është tallur me ta pothuajse pas çdo vepre penale të kryer, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ta arrestojë.
Më 8 maj të këtij viti, Elbasan Karaçica ia kishte vjedhur armën “Glock 17”, djalit të Rifat Jasharit dhe gjeneralit të FSK-së, Bashkim Jasharit në Komoran të Drenasit. Sipas raportit të Prokurorisë, Elbasan Karaçica dhe Ahmet Kamberi e kanë kryer vjedhjen rreth dy-tre minuta pasi Jashari e kishte parkuar veturën dhe kishte dalë nga ajo.
Pas kësaj vjedhjeje, Elbasan Karaçica me javë të tëra e ka sfiduar ironikisht Policinë e Kosovës, duke publikuar fotografi përmes rrjeteve sociale, ku dukej duke lëvizur lirshëm nëpër Kosovë.
Policia ka konfirmuar pë Gazetën Sinjali se sot e kësaj dite, Elbasan Karaçica ende nuk është arrestuar.
“I dyshuari E.K. ende nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës për rastin e 8 majit. Dy persona dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Më 26 shtator rasti i ka kaluar Prokurorisë Themelore të Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Kjo vjedhje është vetëm një rast penal më shumë në dosjen e Elbasan Karaçicës. Gazeta Sinjali mëson nga burime brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë se Karaçica shquhet kryesisht për vjedhje të veturave dhe mes tjerash, dyshohet se ka tentuar ta godas një polic me veturë.
Veprat e tij penale janë të llojllojshme dhe datojnë që nga nëntori i vitit 2014. Përvjeç tjerash, Karaçica dyshohet për pjesëmarrje në rrahje, vjedhje veturash, mosrespektim të urdhërit policor, sulm fizik ndaj Policisë e urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore e Drenasit.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me Elbasan Karaçicën, por deri tash nuk kanë dhënë ende ndonjë përgjigje zyrtare. /Gazeta Sinjali/