Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesë në Gjykatën e shkallës së parë të këtij rajoni, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Sh.J, të dyshuarin për dhunimin e 14-vjeçares.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Xheladini.
“Sipas kërkesës suaj, ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 shtator 2020, ka ndalur të dyshuarin Sh.J., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, ndërsa sot ndaj tij është kërkuar masa për caktimin e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan”, thuhet në përgjigjen e saj.
Gazeta Sinjali mbrëmë raporti se rasti në fjalë dyshohet se ka ndodhur në motelin “Casablanka” që ndodhet në fshatin Livoq i Poshtëm në Gjilan, në një ditë dimri mes muajit janar dhe shkurt të këtij viti, ku e mitura, në atë kohë 13-vjeçare, dyshohet se u keqpërdor seksualisht nga 21-vjeçari, i cili dyshohet se e detyroi të kryejë marrëdhënie seksuale me të.
Si pasojë e këtij akti, e mitura kishte ngelur shtatzënë, për çka në muajin mars, rreth tri javë e disa ditë shtatzëni, një sinjalizues i afërt me familjen e viktimës rrëfeu se Sh.J., e kishte detyruar që të abortonte.
Mësohet se ndërprerja e kundërligjshme e shtatzënisë është kryer në një klinikë private në Prishtinë, mjekët e të cilës kishin refuzuar që t’i jepnin të miturës fletëlëshimin për kryerjen e abortin.
Nga Prokuroria Themelore në Gjilan mbrëmë kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali që kanë bërë një kërkesë, që këto dy, tre ditë të kryhen edhe ekzaminimet mjeko-ligjore.
Rastin në polici është paraqitur dje nga viktima, e cila, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, u intervistua nën shoqërimin e nënës së saj, /Gazeta Sinjali/