image Kërkohen qendra lëvizëse për qasje më të lehtë për vaksinim

Shëndetësi

Kërkohen qendra lëvizëse për qasje më të lehtë për vaksinim

news image

Qytetarët më të drejtë vaksinimi në Kosovë kanë mundësi që të imunizohen vetëm në qendrat e komunave ku ata janë të regjistruar si banorë. Pra, nëse një qytetar i përket një komune tjetër, por nga e hëna në të premte jeton e punon në Prishtinë, atëherë vaksinimi për të bëhet i vështirë. Kjo duke qenë se të shtunën dhe të dielën nuk ka vaksinime me dozën e parë.

Infektologu, Ilir Tolaj, mendon se duhet të ketë lehtësira të tjera dhe thjeshtëzim të vaksinimit në vend. Ai thotë se duhet të shtohen edhe qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin.

Kjo është edhe një prej pengesave të vaksinimit masiv. Nëse autoritetet synojnë vaksinim masiv atëherë duhet që ta lehtësojnë qasjen në vaksina, që ta thjeshtësojnë sa më shumë që është e mundur dhe rrjedhimisht edhe kjo pikë që të jetë mundësia e marrjes së vaksinës në qendrat të ndryshme aty ku janë qytetarët është një promovim i vaksinimit.

Nëse dëshirojmë që njerëzit të vaksinohen sa më shumë, atëherë do duhet që t’ju mundësohet që edhe gjatë ecjes së tyre për në punë të kenë akses në qendra të vaksinimit, ta bëjnë atë dhe të vazhdojnë për punën e tyre, sa më shumë që thjeshtëzohet dhe zgjerohet rrjeti i vendvaksinimeve aq më lehtë do jetë mandej që të arrihet ajo përqindja që po synojnë të jetë mbi 60% e popullatës së vaksinuar apo më shumë”, theksoi Tolaj për KP.

Me qëllim të vaksinimit sa më masiv kundër COVID-19, internisti, Driton Vela, propozon që të shtohen edhe qendra lëvizëse të vaksinimit përmes mjeteve të veçanta nëpër terren për të qenë më afër qytetarëve.

“Ajo çka unë mendoj se duhet të bëhet në të ardhmen, është që përmes ekipeve mobile t’ua afrojmë procesin e vaksinimit qytetarëve. Këtë e kanë bërë shtete tjera. Pra, të mos jetë i lidhur procesi i vaksinimit vetëm me qendra statike, por të përdorim edhe autobus të mëdhenj apo mjete të tilla lëvizëse, që ua mundësojnë vaksinimit qytetarëve aty ku jetojnë apo në afërsinë dhe me sa e di unë edhe kjo po shqyrtohet që të realizohet edhe në Kosovë”, thotë Vela.

Lidhur me këtë çështje nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në të ardhmen mund të ketë edhe lehtësira të tjera që do ndikojnë në rritjen e numrit të të vaksinuarve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ankesat e qytetarëve të cilët nuk mund të vaksinohen kudo që kanë mundësi, i quan arsyetim për të mos u vaksinuar. Por, ai thotë se si MSh synojnë të përdorin çfarëdo instrumenti për t’u mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë në vaksinim.

“Procesi i vaksinimit është aq i liberalizuar dhe i thjesht sa është për keqardhje nëse një qytetar gjen një arsye për të mos u vaksinuar. Sot nëse dikush nuk mund të kursejë disa orë ose edhe më pak minuta për t’u vaksinuar me të vërtet do ishte dëm i madh për secilin qytetar duhet të gjejë arsye për t’u vaksinuar e jo për ta bojkotuar procesin.”

Nuk e përjashtojmë mundësinë që në të ardhmen të kemi edhe lehtësime të tjera sepse ne po shkojmë kah rritja e numrit të atyre që po vaksinohen dhe kësisoj do të përdorim çdo instrument i cili do t’i mundësojë qytetarit qasje sa më të lehtë në vaksinim. Por, sinqerisht procesi i vaksinimit në Kosovë tani për tani është i thjesht dhe mjafton vullneti dhe vetëdija për t’u vaksinuar”, tha Hoti.

Aktualisht, numri i të vaksinuarve me dozën e parë është 157 mijë e 149, ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 168 mijë e 173 qytetarë.

Prishtina, Prizreni dhe Gjakova janë tri komunat me më së shumti të vaksinuar./Gazeta Sinjali/