Instituti i Mjekësisë Ligjore, të premten, më 18 dhjetor, ka përfunduar gërmimet për mbetjet mortore në Kosovë për vitin 2020.
Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për Personat e Pagjetur tha se gjatë këtij viti në Kosovë janë kryer gërmime në disa lokacione, siç janë ato në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës, në Suriganë, Polanë të Istogut, Stanaj të Gjilanit, Prizren e Rahovec.
Gara tha se, nga gërmimet e bëra gjatë muajve të kaluar, janë gjetur më shumë se dhjetë persona.
“Nga gjithsej nëntë lokacione në të cilat është gërmuar, tetë prej tyre kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore të të paktën 11 personave, viktima të luftës”, tha Gara për REL.
Identiteti i viktimave të gjetur më 2020 nuk është konfirmuar ende.
Po të premten, në Komunën e Prizrenit dhe të Rahovecit janë gjetur mbetjet mortore të dy personave.
“Informata për dy rastet e fundit janë prezantuar nga qytetarët. Prandaj është me rëndësi që informatat që kanë qytetarët, të njoftojnë autoritetet kompetente”, tha Gara.
Nga ana tjetër, Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i prindërve”, shoqatë kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për gjetjen e personave të zhdukur nga Kosova.
Sipas tij, mekanizmat përkatës, nuk po arrin të zbatojnë planet e parashikuar.
“Për të ardhmen duhet të ketë një plan i cili mund të realizohet. Thonë për shembull ‘nuk mund të realizojmë më shumë në rajonin e Mitrovicës’… le ta shkruajnë në letër, le të thonë ‘do të punojmë vetëm në një lokalitet’ e jo të japin premtime për disa vende. Njëzetenjë vjet të luajnë lojëra, herë në këtë anë e herë në atë anë, e në asnjërën të mos e përfundojnë punën, është mëkat i madh. Do të thotë, nuk e kanë seriozitetin aspak as vendorët, as ndërkombëtare më fare. Pse ndërkombëtarët ta kenë problem me planin tonë, kur nuk ka një vendim që thuhet se këtu [në një lokalitet] do të përfundojmë një herë e përgjithmonë një gërmim”, tha Qerkini.
Që nga ardhja në pushtet, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se zgjidhja e fatit të personave të pagjetur nga lufta e viteve 98-99 është çështje kyçe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Qerkini konsideron se fati i personave të pagjetur nuk është konsideruar asnjëherë si prioritet. Madje sipas tij, kjo çështje është keqpërdorur nga politika dhe politikanët.
“Çka e kam vërejtjen më të madhe është se e kanë futur dhe e kanë politizuar këtë çështje më shumë për poenë politikë sesa zbardhjen e fatit të pagjeturve. Po të donin ndërkombëtarët, moti do ta kishin përfunduar këtë punë”, tha Qerkini.
Që nga viti 2001 e deri më tani, në territorin e Serbisë, në katër lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Varreza masive në Kizhevak është e pesta varrezë masive me viktima shqiptare që zbulohet në territorin e Serbisë. Bëhet fjalë për një minierë ku për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina.
Zbulimi i saj, u bë fal imazheve satelitore të Ushtrisë amerikane, që janë siguruar përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Gjatë gërmimeve në varrezën masive të Kizhevakut në Rashkë të Serbisë, autoritetet deri më tash kanë bërë tërheqjen e mbetjeve mortore të katër deri në pesë personave.
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, ka njoftuar se kërkimet zyrtare në këtë varrezë masive janë ndërprerë dhe pritet të vazhdojnë në vitin e ardhshëm.
“Në Serbi kemi kontrolluar Kozarevën, ku kemi hapur kanale testuese dhe ka rezultuar me gjetje negative. Kemi ekzaminuar terrenin dhe dyshimin në Shtaval të Sienicës dhe normale gjetjen e mbetjeve mortore pas pesë vjetësh në Kizhevak, për të cilin rast do të vazhdojmë punimet në pranverë, për shkak se armik kryesor në këtë drejtim i kemi kushtet atmosferike”, tha Gërxhaliu.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur. Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë./Gazeta Sinjali/