Ish-ambasadori i Misionit të OSBE=së në Kosovë, William Walker është pritur sot në Presidencë nga presidenti Hashim Thaçi.
Walker, duke bërë thirrje që sa më shpejt të formohen institucionet, kërkoi që Thaçi tanimë të shkojë në pushim, pasi është thinjur, shkruan Gazeta Sinjali.
“Unë mendoj që Kosovës i duhet një qeveri. Ju i keni humbur 100 ditë, sot është dita e 101 apo 102. Po shpresoj që nuk do të zgjasë edhe shumë çështja e formimit të qeverisë dhe Kosova të kthehet në rrugën e progresit, atë që të gjithë në Kosovë e duan , dhe ajo cila është më e rëndësishme të jetë një vend i suksesshëm në Evropën Qendrore”, tha Walker.
Walker foli edhe për videon e shumëkomentuar ku duket se refuzon t’ia japë dorën Thaçit, ndërsa theksoi se këtij të fundit i duhet një pushim.
“Jepni këtyre burrave pushim, ai është bërë gogja i qetë, i thinjur, mirëpo edhe me një pamje më të hijëshme, kështu që jepuni një pushim. Dhe ju lutem mos i merrni gjërat siç u morën në një kafe në Shtime, kur unë isha duke ia dhënë një libër dhe isha duke i treguar një temë të rëndësishme nga libri, dhe dukshëm kur ishim duke e shikuar librin nga prapa. Një gazetar mendoi se kjo paraqet diçka shumë domethënëse se nuk ia kam zgjatur dorën presidentit, kështu që nëse nuk e ke problem do ta zgjas dorën edhe një herë”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, Thaçi tha se Walker është kritik ndaj politikanëve në Kosovë
“Edhe një herë faleminderit shumë ambasadorit Walker për gjithçka që po bën për Kosovën. Nganjëherë është edhe kritik ndaj neve që jemi në politikë, por gjithmonë këto kritika kanë qenë të mirëseardhura për t’u përmirësuar edhe unë personalisht që edhe kur na ka kritikuar e kemi dashur e kemi respektuar punën dhe angazhimin e Walker sepse dëshiron që ta sheh Kosovën sa më shpejt përpara dhe të mirë të jetë e konsiliduar”, tha Thaçi.
Walker po qëndron në Kosovë në shënimin e 21 vjetorit të masakrës së Reçakut. Gjatë këtyre ditëve ai ka pasur takim edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, duke ka kërkuar nga ta që sa më shpejt ta arrijnë marrëveshjen për formimin e qeverisë. /Gazeta Sinjali/