Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dje i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës ka kërkuar që ta zhvillojnë një takim gjatë ditës së sotme.
Këtë takim, i pari i qeverisë e kërkon që të bashkërendojë veprimet me kreun e shtetit rreth politikës së jashtme.
“Përfaqësimi i Kosovës do të jetë sa më i denjë në arenën ndërkombëtare dhe këtë mund të arrijmë duke qenë të harmonizuar në qëndrimet tona të cilat përveç suksesit do të garantonin edhe zhvillimin ekonomik e siguri shtetërore kombëtare”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit dërguar Thaçit.
Kryeministri më tej ka thënë se duhet të jetë i njëzëshëm prezantimi i Republikës dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit, duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë shtetin.
Kurti i ka dhënë në dispozicion presidentit tri orare të ndryshme, e para në ora 09:00, pastaj në ora 13:00 si dhe në ora 18:00. Deri më tani, nuk ka një përgjigje nga ana e kreut të shtetit ose të paktën nuk dihet publikisht për një gjë të tillë.
Teksa, është paralajmëruar se Thaçi do të marrë pjesë sot nga ora 10:00 në takimin “Rruga drejt Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë”, ku do të bëhet lansimi i raportit “Matja e perceptimit publik dhe dialogu për Komisionin e ardhshëm për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP) në Kosovë” në Prishtinë.