image Kërcënon Petkoviq: Nëse s’lejohen zgjedhjet e 3 prillit, nuk ka më zgjedhje të Kosovës në Veri

Politikë

Kërcënon Petkoviq: Nëse s’lejohen zgjedhjet e 3 prillit, nuk ka më zgjedhje të Kosovës në Veri

news image

Petar Petkovic ka thënë se Kosova nuk do të mund të organizojë zgjedhjet në një pjesë të territorit të saj, nëse nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill.

Kryetar i së ashtuquajturës zyre për Kosovën në Beograd ka komentuar paralajmërimet e Qeverisë Kurti për moslejim të mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të Serbisë në veri të Kosovës. Ai ka thënë se nëse nuk lejohet mbajtja e tyre, atëherë as Kosova nuk mund të organizojë zgjedhjet e saj në veri të vendit.

Këto deklarata të tij vijnë pasi Serbia nuk u lejua të mbajë referendumin për ndryshime kushtetuese në territorin e Republikës së Kosovës nga qeveria.

“Është fare e qartë se, nëse nuk ka zgjedhje më 3 prill, nuk do të ketë më zgjedhje në Prishtinë në veri të Kosovës. Do të kemi pasoja të paparashikueshme”, ka thënë Petkoviq.

Në një prononcim për TV Tanjug, Petkoviq ka theksuar se çështja e votës është e drejtë themelore e njeriut, të cilën, siç tha ai, Albin Kurti po mundohet t’ia mohojë popullit serb në Kosovë, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë.

“Ne nuk do të mbyllim sytë për atë se çfarë po ndodh në Kosovë, ne e kemi paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar, i cili është përgjegjës për presionin ndaj Albin Kurtit dhe Prishtinës për të mbajtur zgjedhjet më 3 prill”, tha Petkoviç.

Ai shton se serbët nuk kërkojnë ndonjë gjë të veçantë, por vetëm që zgjedhjet të mbahen si vitet e kaluara dhe se si shtetet e Quintit ashtu edhe zyrtarët e BE-së kanë mbrojtur të drejtën e popullit serb për të votuar. Ai thotë se kjo nuk guxon të mbahet në formë deklarate, por duhet veprim konkret për të pasur rezultat.

Tutje Petkoviç iu hyri edhe deklaratave konspirative duke thënë se Kurti, duke mos lejuar serbët të votojnë, dëshiron të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Serbi, pasi siç thotë ai, të gjithë e dinë se populli serb votoi për Vuçiqin dhe Partinë Progresive Serbe dhe se ai dëshiron t’i largojë ato 50 – 60 mijë vota për Vuçiqin dhe SNS-në.

Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha në një emision së fundi se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhje të Serbisë në Kosovë më 3 prill.

/Gazeta Sinjali/