image Kërcënohet dhe sulmohet zyrtari policor në Pejë, arrestohet një familjar i tij

Siguri

Kërcënohet dhe sulmohet zyrtari policor në Pejë, arrestohet një familjar i tij

news image

Zyrtarët policorë shpeshherë janë cak i kërcënimeve e sulmeve edhe kur janë jashtë detyrës zyrtare. Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për dhjetëra raste të tilla që janë trajtuar nga Prokuroritë respektive. Një ngjarje e tillë ka ndodhur të martën në Novosellë  të Pejës, për çka një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se një zyrtar policor (emër i njohur për redaksinë) derisa ishte jashtë detyrës zyrtare, është kanosur dhe sulmuar nga një familjar i tij.

Rasti është denoncuar nga vet polici, i cili ka raportuar se është përballur me djalin e xhaxhait, që po dyshohet se e ka kërcënuar për motive ende të panjohura.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites të së martës, që eskaloi papritmas gjatë kohës kur zyrtari policor ishte në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas informacioneve të para, përveç kanosjes, situata u tensionua, ashtu që i dyshuari e kishte kapur për fyti policin, derisa kishte ndërhyrë djali i tij.

Përballë kësaj situate, zyrtari policor njoftoi kolegët e tij për atë se çfarë kishte ndodhur, me ç’rast një njësi policore intervenoi duke e arrestuar të dyshuarin.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa polici ka marrë trajtim mjekësor.

Ndaj të dyshuarit, burimet thonë se prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin në kohëzgjatje prej 48 orësh për dy vepra penale “Kanosje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

/GazetaSinjali/