Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që Policia të shpërndajë fletë qortuese për shoferët që lëvizin me vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, u bë sebep që zyrtarët policorë serbë të bojkotojnë punën e tyre. Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali ka raportuar qysh të enjten, pasi burimet bënë të ditur se policët serbë kanë kërcënuar me dorëheqje në rast se pasojnë veprime ndëshkuese për ta ose eprorin e tyre.
Dorëheqjen në emër të punonjësve të Policisë e ka dhënë shefi i operacionit rajonal të Mitrovicës në veri, Aleksandar Filipoviq.
Përpos pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga institucionet e vendit janë tërhequr edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Igor Simiq dhe kryetarët e komunave në veri të vendit.
E pak ditë më parë, Nenad Gjuriq që mbante pozitën e Drejtorit të Policisë Rajonale në veri të vendit, është suspenduar nga detyra pas deklaratave të tij publike që pjesëtarët serbë të Policisë, nuk do të respektojnë vendimin e Qeverisë.
Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, pas thirrjes për moszbatimin e vendimit për lëshimin e fletëve qortuese për shoferët me targa ilegale me akronime si: ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’. Ai po ashtu dyshohet se me veprimet e tij ka kryer edhe shkelje të rëndë disiplinore, duke nxitur punonjësit tjerë të Policisë së Kosovës të mos zbatojnë vendimin e Qeverisë.
Ndryshe, më 1 nëntor Policia e Kosovës ka nisur të lëshojë letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë.
Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, do të zhvillohet në tri faza.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.