image Kërcënimi ndaj kryeministrit Kurti e fut në telashe me shtetin zyrtarin e komunës së Vitisë, në Polici deklaroi se nuk e kishte këtë qëllim

Siguri

Kërcënimi ndaj kryeministrit Kurti e fut në telashe me shtetin zyrtarin e komunës së Vitisë, në Polici deklaroi se nuk e kishte këtë qëllim

news image

Zyrtarit të komunës së Vitisë, Naser Azemit i kushtoi me ndalim policor postimi që publikoi në Facebook, ku kërcënoi publikisht kryeministrin Albin Kurti. Kërcënimi që e publikoi Sinjali gjatë ditës së djeshme, aktivizoi Policinë dhe Prokurorinë.

Burimet kanë konfirmuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Azemit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Kanosja”.

Çfarë deklaroi Azemi para hetuesve policorë, me rastin e shoqërimit në stacion?

Raportimi i Sinjalit për këtë rast ka vënë në veprim Policinë, që në bazë të urdhrit të Prokurorit për sigurimin e prezencës së të dyshuarit, arrestuan Azemin.

Pasi u prangos, ai u shoqërua në stacion policor, ku edhe ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin. Ashtu siç edhe shihet në provat e siguruara, ai e ka pranuar se ka publikuar vet atë postim, por e ka mohuar se qëllimi i tij ka qenë kanosja.

Me postimin: “Demagog i ndyer, rrogën e gushtit që e ke ndalur njerëzit për atë rrogë e kanë kryer punën! Vetëm i ndodhë fëmijëve të mi të vegjël diçka nga uria që ti jua ke shkaktuar, ta dijsh personalisht do të merrem me ty, nuk kam me të lanë vend kërkund në këtë botë!”, ai ka deklaruar se nuk ka pasur synim që ta kërcënojë kryeministrin Kurti.

Reagimi i tij erdhi të premten pas mosekzekutimit të pagave të plota për muajin gusht, por që i kushtoi me 48 orë ndalim.

Ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, pritet të shihet nëse Prokuroria do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/