image Kërcënime me thikë, rrahje e dhunë psikike/ 5 raste të dhunës në familje u raportuan dje në polici

Siguri

Kërcënime me thikë, rrahje e dhunë psikike/ 5 raste të dhunës në familje u raportuan dje në polici

news image

Vazhdojnë rastet e dhunës në familje, vetëm dje janë paraqitur pesë raste në polici, derisa janë arrestuar edhe të dyshuarit për dy raste të mëhershme, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në rrugën “Lidhja e Lezhës”, në Prishtinë rreth orës 11:00, është arrestuar një person i cili kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj familjes së tij, duke i kanosur me thikë.

Nga familjarët e të dyshuarit mësohet se ai është përdorues i substancave narkotike dhe ka probleme psikike. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fati i të dielës e ka përcjellë edhe ditën e hënë në Kosovë. Sipas burimeve brenda policisë, në tërë vendin kanë ndodhur në total katër raste të dhunës në familje, viktimë e së cilës në të shumtën e rasteve janë gratë dhe fëmijët, derisa sulmues janë burrat.

Të tilla janë dy rastet që kanë ndodhur në Prizren gjatë ditës së djeshme, të cilat rezultuan me arrestimin e të dyshuarve.

Rasti i parë mësohet të ketë ndodhur në rrugën “Ali Pashë Gucia” në Prizren, rreth orës 11:00, ku një grua kishte qenë në vazhdimësi viktimë e dhunës psikike e fizike nga bashkëshorti i saj. Si rezultat policia ka arrestuar të dyshuarin i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Njësoj, në fshatin Radobravë të Prizrenit, viktimë e dhunës fizike dhe psikike përpos gruas kishte qenë edhe vajza e të dyshuarit. Viktimave i’u është ofruar trajtim mjekësor, përderisa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

As qyteti i Malishevës nuk i’u ka shpëtuar rasteve të dhunës në familje. Në fshatin Carallukë rreth orës 12:00, një i dyshuar me probleme psikike kishte ushtruar po ashtu dhunë psikike ndaj nënës së tij, e cila pastaj ka pranuar trajtim mjekësor.

Sipas burimeve të Sinjalit i dyshuari pas trajtimit mjekësor në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Gjakovës, është dërguar në mbajtje.

Po në këtë komunë, në fshatin Llozhicë rreth orës 17:00 është arrestuar i dyshuari, pasi që në ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij e, po ashtu, ka dëmtuar edhe orenditë shtëpiake.

Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, derisa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sipas informatave nga burimet e Sinjalit, dy persona janë arrestuar dje më datë 7 qershor 2021, të cilët disa ditë më parë kishin përdorur dhunë ndaj familjarëve të tyre.

Njëri rast ka ndodhur në Prizren, ku i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj familjes me datë 23 maj të këtij viti, si rezultat ai kishte pranuar trajtim mjekësor në repartin e Psikiatrisë në QKUK, përderisa dje është dërguar në mbajtje nga Policia e Kosovës./Gazeta Sinjali/