Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve G.J., I.Gj., B.Gj. dhe S.D., për keqpërdorime në një tender në komunën e Ranillugut.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se të dyshuarit i kanë shkaktuar komunës dëm prej 8 mijë e 307 eurove.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
“Në tenderin me titull ‘Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillugut për vitin 2018’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8.307,00 €, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë (6) pozicione të pa kryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillugut i paguan si pozicione të kryera”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.