image Kelmendi ushtron ndikim tek punëtorët e tij për të votuar për PDK-në

Kosovë

Shkelje/ Kelmendi ushtron ndikim tek punëtorët e tij për të votuar për PDK-në

news image

Ajo që flitej prej kohësh në lidhje me imponimin e votës tek punëtorët e tij, biznesmeni, Ramiz Kelmendi, dje e vulosi vet.

Ramiz Kelmendi, pronar i ELKOS GRUP që numëron rreth 2 mijë e 500 punëtorë, ndonëse për zgjedhjet e parakohshme të 6  tetorit nuk i hyri garës për deputet dhe deklaroi se do të qëndrojë larg politikës, posa filloi parafushata zgjedhore, ai u hodh në “krahët” e kreut të PDK-së, Kadri Veselit, kandidat për kryeministër, dhe deklaroi publikisht se do ta mbështes Veselin në këtë garë.

Këtë vendim ai e quajti krejt të “rastësishëm” si rrjedhojë e një takimi po ashtu të “rastësishëm” me zotin Veseli.  

Disa ditë më vonë, Kelmendi deklaroi se është duke lobuar për PDK-në dhe se po kërkon vota për këtë parti, pasi që Veseli nuk po e lë rehat për ta mbështetur në fushatë.

Ky veprim i Kelmendit nuk ishte i befasishëm për askënd, duke pasur parasysh aventurat e shtegtimit të tij politik, sa në një parti në tjetrën.

Por ajo që “befason” është guximi i tij për të deklaruar publikisht se do të kërkoj nga punëtorët e tij të ELKOS Group, ku përfshihet edhe  rrjeti i marketeve  ETC, që ta votojnë PDK-në.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, për të marrë një prononcimin në lidhje me këtë kërkesë që u ka bërë punëtorëve, e që konsiderohet ushtrimi ndikimi, Kelmendi tha se e njeh ligjin dhe se nuk është duke bërë kurrfarë shkelje ligjore.     

“E di ligjin unë, është e drejtë ligjore me lobu për partinë, është e drejtë ligjore e çdo kujt e çdo anëtari e çdo qytetari  me e kërku votën për atë parti politike që e mbështetë. Nuk konsiderohet imponim nëse lypet vota në formë vullnetare,… është tentim për izolimin e njerëzve që kanë ndikim… prandaj të gjithëve që iu kërkon,  si publike si individuale, nëse nuk e përdor formën e presionit është plotësisht e lejume, unë edhe ashtu jam vetëm pronar dhe nuk jam fare drejtor ekzekutiv, prandaj të gjithë punëtorët janë të lirë me votu sipas vullnetit të tyre”, tha Kelmendi për Gazetën Sinjali.

Prej vitesh kanë qarkulluar informacione se sa herë që janë mbajtur zgjedhje në Kosovë, Klemendi, si pronar i ELKOS Group, ka detyruar punëtorët e tij që ta votojnë atë dhe partinë përmes së cilës ka garuar për deputet.

Ndonëse asnjëherë nuk kanë pasur guximin të shprehen publikisht, për shkak të rrezikimit të vendit të punës, mes miqsh dhe familjarësh punëtorët e ETC-së,  kanë rrëfyer se Kelmendi i ka detyruar të fotografojnë votën si dëshmi, vepër kjo e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës, deri në pesë (5) vjet burg.

Por Kelmendi e mohon kategorikisht t’iu  ketë kërkuar ndonjëherë punëtorëve fotografimin e votës, duke i quajtur thashetheme ato që janë folur lidhur me këtë temë.

“Me thënë të drejtën unë nuk merrem me thashetheme, s’më interesojnë mua thashethemet, askush s’ka obligim që ta fotografoj votën as s’ia kërkoj as s’ia kam kërkua në asnjë palë  zgjedhje, as në të tashmet, prandaj unë kurrkujt s’ja kërkoj fotografimin,  sepse fotografimi i votës është vepër penal, pra nëse ja kërkon dikujt fotografimin e votës pa marrë parasysh a është punëtor a është mik a qytetar,  është vepër penale, të gjitha të tjerat janë të lira në kohë fushate, tha Kelmendi.  

Ai insiston se informacionet që kanë qarkulluar rreth tij për imponim votash, janë bërë me qëllim të dëmtim të imazhit të tij.

“Janë vetëm spekulime për të dëmtuar imazhin tim dhe për të treguar se si ndoshta ndonjë  pronar i detyron punëtorët. Punëtorët e mi janë jashtëzakonisht të lirë, kjo është e drejt e tyre kushtetuese dhe i ftoj gjithmonë ta përdorin këtë të drejtë kushtetuese, mirëpo kërkesa për ta mbështetë dikë është miqësore dhe e vullnetshme. Nëse unë s’i kërkojë ndonjë fotografi të cilën s’i kam kërkua kurrë, ajo është plotësisht ligjore”.

Kelmendi madje thotë se as që ka kontakte të drejtpërdrejta me punëtorët dhe se i sheh vetëm një herë në vit.

“Unë kam pas thashetheme edhe në zgjedhjet e kaluara, por unë nuk bisedoj me asnjë person të punësuar në katër sy, gjithmonë ftesën e bëjë në mënyrë publike. Unë si të shkoj aty ata mblidhen rreth meje dhe unë i përshëndes, ndoshta një herë në vjet i shoh punëtorët, kam qef me i pa a kanë ndonjë problem me menaxhmentin, por për zgjedhje nuk ka kurrfarë presioni, të gjithë janë të vullnetshëm për me më mbështetë”.

Pavarësisht se është duke lobuar për PDK-në, Kelmendi thotë se i mbështetë punëtorët e tij në orientimin e tyre të lirë politik.

“Ata që kanë obligime pune nuk kanë obligim as me ardhë aty (në votim) ardhja aty është e vullnetshme. Ka pas punëtor që më ka thënë jam i orientuar politikisht, ja kam dhanë dorën i kam thanë vazhdo. Orientimi politik  është jashtëzakonisht kushtetues, ligjor individual, jepje votën kujt të kesh dëshirë”, është shprehur t’i  ketë thënë punëtorëve të tij Kelmendi

Kelmendi tha se janë organet e drejtësisë që mund ta vërtetojnë  nëse ka bërë shkelje ligjore ndonjëherë me imponim të votës.  

 “Janë organet që merren me këtë punë .. unë për atë thashë, nuk ka bisedë përmes meje dhe ndonjë të punësuari në katër sy, për shkak që t’i iki ndoshta ndonjë mundimi politik të cilin e përdorin shumë parti politike, për të dëmtuar imazhin tim, ka përfunduar Kelmendi.

Biznesmeni Ramiz Kelmandi, mbanë rekordin si njeriu që ka ndërruar më së shumti parti në një kohë shumë të shkurtër. Për dy vjet, ai kishte kaluar nëpër tri parti politike, AAK-PDK, LDK, dhe tash së fundmi sërish iu kthye, “dashnisë” së vjetër PDK-së, duke e mbështetur kandidaturën e Kadri Veselit për Kryeministër./Gazeta Sinjali/