Sot janë bërë katër vite nga pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA. Që nga ajo kohë, shumë ndryshime kanë ndodhur në futbollin kosovar.
Por, cilat kanë qenë ndryshimet që janë vërejtur në këto katër vite?
Gazetari dhe komentatori i ‘SuperSport’, Arlind Sadiku në një prononcim për Sinjali Sportiv ka thënë se futbolli vendor ka pasur progress në disa sfera.
‘Sigurisht që periudhën 4 vjeçare pas pranimit të Kosovës në UEFA, duhet ndarë në dy rrafshe, vendor dhe ndërkombëtar, për klube dhe kombëtaret (A, U21, U19 etj)’
‘Nëse fokusohemi te rrafshi vendor, futbolli ka pasur progres në disa sfera. Në krahasim me vitin 2016, nuk mund të themi se niveli i cilësisë në Superligë ka pasur zhvillim të madh, por në disa aspekte ka pasur përparim të ndjeshëm‘, u shprehë Sadiku fillimisht.
Sipas tij, rroga mesatare e futbollistëve kosovarë është rritur për së paku 100%.
‘Rritja e pagës mesatare për futbollistët kosovarë është për minimum 100% më e lartë. Para pranimit në UEFA, rroga mesatare ka qenë 300-350 euro, ndërsa sot është 800 euro. Prishtina, Feronikeli, Gjilani, Llapi, Drita, Ballkani e disa klube tjera kanë shumë futbollistë që i marrin mbi 1,000 euro pagë mujore. Pra, ndërkombëtarizimi ka pasur efekt pozitiv për faktorin kryesor në futboll, futbollistin’, shtoi tutje gazetari i njohur.
Sadiku beson se garat evropiane ka rritur numrin e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj, po ashtu transferimi i lojtarëve kosovarë në ekipet evropiane ka shënuar rritje.
‘Mundësia për të luajtur në garat evropiane, ka rritur apetitet e klubeve, duke sjell futbollistë dhe trajnerë të huaj, veçanërisht nga Shqipëria e rajoni. Eksportimi i futbollistëve nga Kosova në Evropë ka shënuar poashtu ngritje të lartë në krahasim me kohën e izolimit. Klubet që kanë siguruar garimin në kualifikimet e garave ndërkombëtare kanë pranuar fonde të konsiderueshme financiare. Ndonëse nuk kemi regjistruar ndonjë sukses me klube, në përgjithësi këto janë disa prej ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në futbollin vendor, pas pranimit’, u shprehë Sadiku.
Tutje, ai mendon se Kombëtarja e Kosovës ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm duke kaluar pritshmëritë.
‘Në rrafshin ndërkombëtar, Kombëtarja e Kosovës ka tejkaluar pritshmëritë, sidomos në dy vitet e fundit. Meritë të mëdha për këtë sigurisht kanë futbollistët që janë rritur nëpër Evropë dhe kanë pranuar të përfaqësojnë atdheun e tyre. Fillimi ishte jashtëzakonisht i vështirë, dhe Federata e Futbollit të Kosovës me Fadil Vokrrin në krye ishte ballafaquar me sfida të shumta. Por me kalimin e kohës, pas provimit të dhjetra futbollistëve u formua një grup i fortë, që vazhdoi rrugën drejt suksesit. Triumfi në Ligën e Kombeve si fitues të grupit ishte padyshim sukses i madh. ‘
‘Tani, të kesh mundësinë reale për kualifkim në Kampionatin Evropian, vetëm 4 vite pas ndërkombëtarizimit, do të ishte diçka e pabesueshme. Uroj që Kosova përmes playoffit të siguroj biletën në Euro 2021 dhe të shpërblej sakrificën e disa gjeneratave që kanë vuajtur, janë dhunuar, rrahur e burgosur por asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe e kanë mbajtur gjallë futbollin’, përfundoj gazetari i njohur, Arlind Sadiku. /Gazeta Sinjali/