image Katër ushtarë amerikanë vdesin pas rrëzimit të një avioni në Norvegji

Botë

Katër ushtarë amerikanë vdesin pas rrëzimit të një avioni në Norvegji

news image

Katër ushtarë amerikanë janë vrarë pas rrëzimit të një avioni gjatë stërvitjeve të NATO-s. Këto stërvitje nuk ishin të lidhura me luftën në Ukrainë, tha të shtunën kryeministri norvegjez.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, shkroi në Twitter se rrëzimi i avioni ka ndodhur të premten mbrëma, ndërkaq shtoi se po hetohen shkaqet e këtij incidenti.

“Ushtarët po merrnin pjesë në stërvitjet e NATO-s të quajtura ‘Përgjigja e Ftohtë’”, tha ai, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e ushtarëve të vrarë.

Avioni i tipit V-22B Osprey i përkiste marinës amerikane, thanë forcat e armatosura norvegjeze.

“Avioni kishte në bord katër pjesëtarë dhe u nis në një mision stërvitor në qarkun Nordland” në veri të Norvegjisë, u tha në deklaratë.

Kryeministri norvegjez tha se avioni ishte paraparë të ateronte para orës 18:00 të premten, por u rrëzua në jug të qytetit Bodo. Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkaq në orët e para të së shtunës, autoritetet konfirmuan se katër pjesëtarët e ekuipazhit kanë vdekur, shkruan REL.

Stërvitjet e përvitshme ushtarake të NATO-s në Norvegji nuk janë të lidhura me Ukrainën. Këtë vit, në këto stërvitje marrin pjesë rreth 30,000 trupa, 220 avionë dhe 50 anije nga 27 vende. Shtetet që nuk janë pjesë e NATO-s, Finlanda dhe Suedia po ashtu po marrin pjesë në këto stërvitje.

Stërvitjet kanë nisur më 14 mars dhe do të përfundojnë më 1 prill.

/GazetaSinjali/