image Katër anëtarë të LDK-së ia mësyjnë garës për kryetar të dielën, flet Quni

Politikë

Katër anëtarë të LDK-së ia mësyjnë garës për kryetar të dielën, flet Quni

news image

Katër anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë shpallur publikisht kandidaturën për kreun e partisë.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa janë kandidatët që garojnë për të zënë pozitën që deri më tani e mbante Isa Mustafa, ndërkaq kanë kohë deri të dielën e 14 marsit për të bindur delegatët e partisë, që t’i përkrahin me votë.

E si do ta bind anëtarësinë e LDK-së, se e meriton të udhëheqë partinë, për Telegrafin ka folur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili publikisht shpalli kandidaturën për të parin e LDK-së.

Ai ka thënë se përvoja shumëvjeçare, korrektësia, qasja gjithëpërfshirëse në realizimin e shumë proceseve të cilat i ka dëshmuar në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar me kolegët brenda partisë e justifikojnë kandidaturën e tij në raport me anëtarësinë e partisë.

Sa i përket perspektivës të së ardhmes, promovimi i vlerave të integritetit, përfshirjen në anëtarësi të anëtarëve kredibil dhe me kompetencë të lartë profesionale, ofrimi i mundësive të barabarta sidomos përfshirjen e të rinjve si dhe avancimin e grave në pozitat udhëheqëse të partisë e posaçërisht duke u fokusuar në një proces të evoluimit gradual që i përgjigjet kohës dhe kërkesave në një ambient të ri politik, duke respektuar standardet më të larta të demokracisë, janë disa nga aspektet e fokusit tim nëse do të kam rastin të udhëheqë LDK-në”, u shpreh Quni.

Sipas Qunit, “avancimi i demokracisë së brendshme në menaxhimin e proceseve brenda partisë por edhe qasja konstruktive në relacion me partitë tjera, sidomos në proceset e rëndësishme për shtetësinë e Kosovës”, përbëjnë esencën e platformës së tij si kandidat potencial për ta udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Besoj se vetëm përmes një qasje të tillë, do të arrihet që LDK-ja të rikthehet fuqishëm, për të reflektuar në avancimin e vlerave të integritetit, meritokracisë dhe kualitetit të mirëfilltë të qeverisjes”, theksoi Quni.

Të dielën me 14 mars LDK do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm ku do të zgjidhet kryetari dhe organet tjera të partisë.

Neni 18 i Statutit të LDK-së thotë se Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e degës plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm.

Degët e LDK-së dërgojnë delegatë në Kuvendin e LDK-së në varësi të peshës së tyre elektorale në zgjedhjet e fundit lokale.

Në bazë të zgjedhjeve të fundit komunale që janë mbajtur në vitin 2017, shpërndarja e delegatëve që do të votojnë në Kuvendin zgjedhor të LDK-së është si më poshtë.

Prishtinë – 44

Pejë – 31

Podujevë- 29

Gjilan – 28

Ferizaj – 24

Lipjan – 20

Prizren – 18

Fushë Kosovë- 15

Suharekë – 15

Viti – 14

Istog – 13

Mitrovicë – 11

Rahovec – 10

Vushtrri – 10

Kamenicë – 9

Gjakovë – 8

Dragash – 8

Malishevë – 7

Klinë – 7

Deçan – 6

Obiliq – 5

Kaçanik – 4

Shtime – 4

Drenas – 2

Novobërdë – 2

Shtërpcë – 2

Junik – 2

Skenderaj – 1

Zhur – 1

Çabër – 1

Zubin Potok – 1

Zveqan – 1

Leposaviq – 1

Graqanicë – 1

Kllokot – 1

Statuti i LDK-së thotë se votat për kryetar janë të fshehta, dhe zyrtarizmi i kandidaturave bëhet në ditën e Kuvendit.

Për t’u pranuar kandidaturat në fillim duhet të marrin besimin 50% + 1 votë të 355 delegatëve.

Në këtë rast një delegat mund të votojë për më shumë se një kandidatë, në mënyrë që të njëjtit t’ia mundësojë garën për kryetar./Gazeta Sinjali/