Ditën e sotme ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë në një konferencë për media deklaroi se pret që ekonomia shqiptare të rritet edhe më tej në 2024-ën.
Ministri, Ervin Mete tha se pagat në sektorin publik do të njohin tjetër rritje, teksa shtoi se presin që mesatarja e pagës të arrij 900 euro.
“Mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, ecuria e mirë e sektorit të energjisë dhe ai i ndërtimit. Rritja, pritet të jetë të paktën në nivelet e vitit 2023, ose edhe më e lartë dhe e balancuar me kthesën e pritshme të ekonomisë botërore dhe asaj evropiane”.
“Nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 Euro në sektorin publik”.
Një rregull i ri është vendosur për taksimin e kalimit të pronësisë, sipas së cilit për çdo vit vjetërsie, çmimi i referencës do të ulet me 1%.
“Do të merret parasysh mosha e ndërtesës. Për një ndërtesë me moshë më të vjetër, për çdo vit vjetërsie do të zbritet çmimi i referencës me 1%, në mënyrë që ato që janë godina më të vjetra të mund të reflektojë çmimi i referencës sa më afër realitetit dhe të ketë një amortizim kur shitet pasuria”.
Mete njoftoi se gjatë 2024-ës do të ketë rishikim të çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare.
“Në linjën e parë bregdetare çmimet janë ndjeshëm më të larta se çmimet e referencës, qasja do jetë zonale, nuk do jetë gjithë qyteti me të njëjtën vlerë, aty ku çmimet janë rritur ndjeshëm do të aplikohet një çmim reference më i lartë”.
Efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë Lekë.