Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komision për Legjislacion para deputetëve e ka bërë të ditur shumën se sa do të shpenzojë Kosova buxhet për shpenzimet që do të shkojnë për 300 të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka.
“Sipas analizave diku 5 milionë euro është kostoja jonë vjetore për të burgosurit”, ka deklaruar Haxhiu derisa ka bërë të ditur se drejtori dhe stafi menaxhues do të jetë danez, ndërkaq gardianët do të jenë nga Kosova.
Haxhiu poashtu tha se në draft-marrëveshjen me Danimarkën mund të refuzojnë ndonjë të burgosur që është i dënuar për vepra të ndjeshme siç është ajo për pedofili.
“Nëse e shohim se një i burgosur ka vepër për pedofili ose vepër tjetër më të ndjeshme ne mund ta refuzojmë”, u shpreh ajo.
Kurse Mbretëria e Danimarkës do të paguajë 15 milionë euro çdo vit në një periudhë pesë vjeçare me mundësi të zgjatjes edhe për pesë vjet të tjera./GazetaSinjali/