Gjatë javës që po lëmë pas, në vend u zhvilluan shumë ngjarje që morën vëmendjen e pothuajse të gjithë publikut, shkruan Gazeta Sinjali.
Të hënën, më 17 maj, në Lipjan, u kap një kamion ku ishin 400 kilogramë drogë (kokainë). Sinjali raportoi me detaje se si ajo dyshohet të ketë ardhur nga Brazili. Kishte kaluar nëpër Shqipëri dhe kështu ka mbërritur në Kosovë.
Pas këtij aksioni, Policia dhe Prokuroria dolën në një konferencë për media ku bënë të ditur se gjatë këtij operacioni u arrestuan shtatë persona, e për të cilët dy ditë më pas u caktua masa e paraburgimit për 30 ditë.
Gjatë kësaj dite, në qendër të vëmendjes ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në samitin “Brdo-Brijun”, ku të pranishëm ishin liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim, Osmani ka pasur një përplasje me presidentin serb, pasi që ajo ia ka përmendur atij para të pranishmëve krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës.
Po ashtu, gjatë kësaj dite, në Kuvendin e Kosovës, Qeveria Kurti ka prezantuar edhe programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, i cili u kritikua shumë nga deputetët e opozitës.
Kurse, më 18 maj, e martë, është pezulluar nga puna, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.
Të mërkurën, më 19 maj, ishte seanca e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë. Në këtë seancë u vendos që gjykimi ndaj tyre të filloj në shtator, gjë që irritoi mbrojtjen e të akuzuarve.
Më 20 maj, të enjten, me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, presidentja, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që të lirojë nga misionet diplomatike 16 ambasadorë dhe konsuj të Kosovës.
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëhen në shërbimin diplomatik.
Ndërsa, në ditët e fundit të javës janë raportuar shumë raste të përdhunimit në vende të ndryshme të vendit çka edhe ka nxitur reagime te publiku.
Si pasojë e kësaj, janë organizuar protesta e marshe të ndryshme, në Prishtinë e Mitrovicë, ku krahas kundërshtimit të kësaj dukurie, është kërkuar që të publikohen edhe emrat e atyre që kryejnë këtë akt.
Po ashtu, në Prishtinë u mbajt një protestë edhe në mbrojtje të palestinezëve, e po të njëjtën ditë, u zhvillua një tjetër në mbrojtje të Izraelit.
Gazeta Sinjali të dielën, ditën e fundit të javës, raportoi ekskluzivisht se një zyrtar policor, u arrestua në Qafën e Prushit për marrje ryshfeti.
Sinjali raportoi se bëhet fjalë për policin Qamil Delija. Burimet në Polici thanë se shuma e ryshfetit ishte 250 euro. Kjo shumë prej tij u mor me qëllim të rregullimit të dokumentacionit të veturës, që dyshohet se ishte falsifikuar.
Denoncimi është bërë dje nga qytetari, derisa sot është bërë simulimi i veprës penale dhe kapja në flagrancë nga IPK-ja.