Roja Bregdetare Amerikane ka sekuestruar më shumë se 1,400 kg kokainë, me vlerë tregu mbi 53 milionë dollarë në oqeanin Paqësor. Në një video të publikuar nga autoritetet duket momenti kur dy skafe të Rojes Bregdetare i afrohen mjetit lundrues të pa identifikuar, që ngjan si një gjysmë-nëndetëse.
“Patrulla pikasi një mjet të dyshimtë dhe pasi iu afrua dhe hipi në bord, u gjetën katër persona, të dyshuar si trafikantë dhe një sasi e vogël kokaine. Pas kontrollit, u zbulua edhe pjesa më e madhe e lëndës narkotike, e fshehur në një pjesë të mjetit lundrues”, thotë në njoftimin zyrtar Roja Bregdetare e Paqësorit jugperëndimor.
Një operacion i gjerë për të ndaluar trafikimin e lëndëve narkotike nga kartelet e drogës ka nisur që prej 1 prillit. Lënda narkotike vjen kryesisht nga Amerika Qendrore dhe e Jugut, përmes mjeteve lundruese, si skafe të shpejtë apo nëndetëse të ndërtuara në mënyrë artizanale.
Për këtë, qeveria amerikane ka vendosur të dërgojë një njësi të ushtrisë amerikane në Kolumbi, me misionin që të ndihmojë forcat e sigurisë në vend në luftën kundër trafikantëve. Lajmin e konfirmoi vetë ambasade amerikane në Bogota.
Në vitin 2019, sasia e gjetheve të kokës së kultivuar në Kolumbi arriti në 212 mijë hektarë, një rritje nga viti 2018, kur kishte 208 mijë hektarë. Në të njëjtën periudhë kohore, kapaciteti prodhues i kokainës u rrit në 951 tonë, krahasuar me 879 tonë të një viti më parë, raporton Reuters.
Kolumbia është gjithmonë në presion nga Shtetet e Bashkuara për të ulur prodhimin e gjeteve të kokës dhe për këtë vit, presidenti i vendit, Ivan Duque, ka vendosur si objektiv shkatërrimin e 130 mijë hektarëve të mbjella.
Në mars të këtij viti, Hernando Enrique Mattos Dager, i cili kryeson task-frocën kundër trafikut të drogës deklaroi për “The Guardian” se 80% e trafikut të drogës realizohet përmes Paqësorit, ndërsa 14% nga Karaibet. “Është shumë më e lehtë të transportosh tonelata kokainë përmes detit se sa me avion, sepse ka më shumë kontrolle nëpër aeroporte”. /Gazeta Sinjali/