Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi nuk po kanë të ndalur dhe ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fenomen është moskapja e personave të dyshuar, të cilët arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i vjedhjes së rëndë ka ndodhur edhe në Rahovec në fillim të këtij muaji, por që Policia ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar disa ditë pas denoncimit.
Burimet nga Prokuroria thonë se personi që u arrestua dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë kanë kryer vjedhje të rëndë më 2 nëntor në një shtëpi në fshatin Çifllak, ku kanë “avulluar” stoli të arit.
Pas arrestimit, i dyshuari e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet, me ç’rast ka rrëfyer para hetuesve policorë për planin që kishin bërë me të dyshuarit e tjerë, me të cilët në bashkëkryerje kryen vjedhjen.
Policia tashmë ka nisur kërkimet edhe për të dyshuarit e tjerë të përfshirë në këtë rast, ndërkohë që i arrestuari i parë është dërguar në mbajtje për 48 orë.