Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.K., për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin thuhet se “I pandehuri më 1 dhjetor 2021, në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimës, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, përmes telefonit ka kanosur seriozisht me fjalë se do ta privoj nga jeta të dëmtuarën bashkëshorten e tij B.K. dhe familjen e saj, ku për të njëjtin rasti është hapur dhunë në familje ndaj të dëmtuarës nga i pandehuri, kjo kanosje i ka shkaktuar shqetësim, frik dhe pasiguri të dëmtuarës dhe familjes së saj”.
Po ashtu bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./GazetaSinjali/