Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në Kosovë. Persona të ndryshëm kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, të cilët më pas i zë sherri me të dyshuarit. Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Dimcë të Hanit të Elezit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rojë pylli kapi në flagrancë një person i cili kishte ngarkuar dru të prerë ilegalisht te vendi i quajtur Përroi i Llokmës.
Sinjali mëson se i dyshuari i cili po lëvizte me qerre me kuaj dhe në momentin që roja i pyllit kishte kërkuar nga ai t’ia japë të dhënat personale, 47-vjeçari kishte nisur ta ofendojë dhe kërcënojë.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka kërcënuar rojën se do t’i mbesin fëmijët jetimë nëse shkruan fletëparaqitje.
Përballë kësaj situate, viktima është detyruar të denoncojë rastin në Polici, duke bërë kështu që i dyshuari të arrestohet.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.