Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili ka arsyetuar një fotografi të publikuar në media, ku shihen nxënësit e shkollës “Motrat Qiriazi” në Prizren, bashkë më mësuesin e tyre i cili dyshohet se ka shtyrë ata të bëjnë veprime në përkrahje të Erdoganit dhe shtetit të Turqisë.
Ismaili përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se kjo është e drejtë e tyre kushtetuese.
“Seriozisht, a do të thotë kjo që pjestarët e komunitetit turk në Kosovë, nxënësit dhe mësuesit, nuk kanë të drejtë ta përdorin dhe ta shfaqin flamurin e tyre? Kam menduar se kjo është e drejtë kushtetuese, apo nuk është, kryetar Haskuka?”, ka shkruar Ismaili.
Në anën tjetër sot gjatë ditës, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se Drejtoria Komunale e Arsimit këtë rast është duke e shqyrtuar hollësisht dhe është në koordimin të plotë me Inspektoratin e Arsimit, për mbledhjen e informacioneve nga terreni.
Komuna theksoi se në hapësirat shkollore nuk është i lejuar aplikimi i asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi me fëmijë dhe iu bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në respektimin e ligjeve dhe të drejtave të fëmijëve.
Lidhur me këtë çështje, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar se që nga dita e sotme do të dërgojë inspektorë në shkollën ku raportohet se ka ndodhur ky rast për ta hetuar.
“MAShT gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve”, thuhej në reagimin e MASHT-it./Gazeta Sinjali/