image Kandidatja e LDK-së për deputete tregon arsyet e humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit

Kandidatja e LDK-së për deputete tregon arsyet e humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit

news image

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme. Ajo ishte kandidate për deputete por nuk mori votat e mjaftueshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Lama u shpreh se është në pritje të publikimeve të rezultateve nga KQZ dhe se nuk ka pritur ndonjë rezultat më të mirë, për shkak të hyrjes së saj të vonshme si kandidate.

“Nga rezultatet deri tani, nuk besoj. Megjithëse kam marrë shumë pak rezultate dhe nuk është se po pres ato çfarë do të publikojë KQZ, por nuk kam pritur as më mirë për shkak se kam hyrë tepër vonë dhe e kisha të pamundur të bëjë fushatë elektorale për një periudhë të shkurtër”, shtoi ndër të tjera ajo në Klan Kosova.

Po ashtu, Lama tha se nuk ka pritur një rezultat të tillë.

“Rezultati ishte goxha i papritur megjithëse kishim indikacione nga sondazhet por jo për një rezultat të tillë. Neve na mbetet të bëjmë analiza se pse ka mbërritur këtu por një nga arsyet lidhet me sulmet e jashtëzakonshme që LDK ka pasë në media, nga kundërshtarët politikë, shumë shpesh të padrejta në lidhje me punën që ka bërë LDK”, tha ajo.

Ndër të tjerash ajo tha se rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve do të ishte më i bësueshëm për kandidatët për deputetë.

“Kam thënë që procesi do të ishte më i mirë dhe i besueshëm në qoftë se do të rinumëroheshin votat edhe në QNR. Nuk kam akuza ndaj ndonjë subjekti politik por duke pasur parasysh parregullsitë që kanë ndodhur në të kaluarën, mendoj që kandidatëve për deputetë do t’ju ofrohej një transparencë më e madhe nëse do të rinumëroheshin votat. Por më e mira do të ishte që votat të skanoheshin sikur që ndodh në vendet e tjera në mënyrë që të hiqej çdo manipulim që mund të ndodhë në qendrat e numërimit”, shtoi ndër të tjera ajo./Gazeta Sinjali/