Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble Komunale në Junik, Lulzim Gacaferi, ka rikonfirmuar koalicionin LVV-LDK për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë qytet, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se qendrat e LVV-së dhe LDK-së në Junik kanë votuar unanimisht për koalicion mes këtyre dy partive.
“Ruzhdi Shehun LVV-ja qendra në Junik e ka votuar unanimisht për të kurorëzuar koalicionin për ndryshim dhë të mirën e vendit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka ftuar qytetarët e Junikut që të mbështesin kandidatin e Lidhjes Demokratike, Ruzhdi Shehu, në raundin e dytë të zgjedhjeve që do mbahen më 14 nëntor.
Kujtojmë, se dje sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshja me LDK-në për Junikun, por se janë ende në fazën e diskutimeve.
“Ka diskutime, por jo marrëveshje”, tha shkurtimisht Manxhuka.
E një gjë të tillë e kishte deklaruar edhe kandidati i LVV-së për Junikun, Besart Tofaj.
“Në takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë për kryetar komune”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.