image Kancelari i Gjermanisë paralajmëron vizitë në Ballkanin Perëndimor

Politikë

Kancelari i Gjermanisë paralajmëron vizitë në Ballkanin Perëndimor

news image

Olaf Scholz thotë se do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor përpara se të mbahet një takim i Këshillit Evropian muajin e ardhshëm, duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian, transmeton Gazeta Sinjali.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare”, u tha Scholz ligjvënësve sot në Berlin.

“Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha ai, duke treguar ndikimin e “fuqive të jashtme” në rajon, përfshirë Rusinë.

Scholz në prill kishte bërë thirrje që përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në të përshpejtoheshin në mes të një “epoke të re” në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Në tetor të vitit të kaluar, liderët e BE-së në një samit në Slloveni vetëm përsëritën “angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit” në një deklaratë që zhgënjeu gjashtë kandidatët për anëtarësim në BE, të cilët kishin shpresuar për një afat konkret.

Kancelari gjermane tha të enjten se do të marrë pjesë në samitin e BE-së në fund të majit “me mesazhin e qartë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”.

/GazetaSinjali/