image Kanada nis vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit

Botë

Kanada nis vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit

news image

Kanada ka nisur vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, raporton Toronto News, transmeton Gazeta Sinjali.

Vaksina e parë e Pfizer/BioNTech u administrua në një azil pleqsh në Toronto. Kryeministri Justin Trudeau e konfirmoi të dielën vonë mbërritjen e vaksinave, grupi i parë i të cilave u dërgua nga Belgjika.

30,000 dozat e para do të shpërndahen në 14 zona të Kanadasë, ndërsa të moshuarit dhe punonjësit shëndetësorë do të kenë prioritet në vaksinim. Shteti i parë në botë që nisi vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit u bë javën e kaluar Britania e Madhe.

Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar – kryesisht moshat e thyera.

Që prej fillimit të pandemisë në muajin mars, shkencëtarët e kanë theksuar vazhdimisht se për ta vënë krizën nën kontroll, duhet vaksina.

Koronavirusi që nisi nga Kina ka prekur deri tani mbi 72 milionë njerëz në mbarë botën; më shumë se 1.6 milionë vetë e kanë humbur betejën me të ndërsa 47 milionë janë shëruar.

/Gazeta Sinjali/