Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon sot në qytetin e Gjilanit, ku do të zhvillohet gara e radhës në disiplinën auto sllallom.
Sipas organizatorëve, e veçanta e garës është fakti se ajo do të zhvillohet në të dyja konkurrencat meshkuj dhe femra, ndërsa interesimi është mjaft i madh.
Gara mbahet në rrugën “Marie Shllaku” në Gjilan dhe vozitja zyrtare pritet të fillojë në orën 13:00.
“Gjatësia e shtegut është 1500 metra, ndërsa gara do t’i ketë dy vozitje. Paraqitja në garë bëhet nga ora 09:00-10:00 (meshkujt) dhe nga 10:00-11:00 (femrat). Më pas bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollimi teknik i veturave dhe pas procedurave tjera të zakonshme do të mbahet vozitja testuese, ndërsa ajo zyrtare pritet të fillojë në orën 13:00. Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve dhe Ndihma e Shpejtë do të jenë aty për çdo eventualitet, ndërsa janë marrë të gjitha masat që gara të zhvillohet në mënyrën më të mirë”, thuhet në njoftimin e federatës./Gazeta Sinjali/