image Kamberi takohet me Bislimin, këto janë katër propozimet për pakicat që s'po ia miraton Beogradi

Politikë

Kamberi takohet me Bislimin, këto janë katër propozimet për pakicat që s’po ia miraton Beogradi

news image

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim deputetin e vetëm shqiptar nga Parlamenti i Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë takim, siç thuhet në njoftimin dërguar mediave, u diskutua pozita e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës.

“Në vend të krijimit të hapësirës së nevojshme institucionale për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, Serbia po gjeneron pengesa dhe vështirësi për ta, duke i kufizuar në këtë mënyrë për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në njoftim.

Në takim deputeti Kamberi ka paraqitur 4 propozime që synojnë të krijojnë mekanizma ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë jashtë rendit të ditës.

“Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave dhe ndryshimin e Rregullores parlamentare”, thuhet në njoftim.

Tutje, ZKM thekson se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe ndërmarrjen e hapave për të adresuar shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 “Poashtu, mbetemi të angazhuar maksimalisht dhe në zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët punojnë në Kosovë”, përfundon njoftimi.

/GazetaSinjali/