image Kamberi: Kosova po përdoret si kartë për të fituar vota në Serbi

Politikë

Kamberi: Kosova po përdoret si kartë për të fituar vota në Serbi

news image

Zëri i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se meqë zgjedhjet parlamentare e presidenciale në këtë vend janë afër, gjuha e krerëve serbë do të ashpërsohet edhe më tej. Ai u bën thirrje BE-së dhe misioneve ndërkombëtare që të jenë kritikë ndaj këtij shteti, ndryshe do të ketë kaos të tërësishëm.

Kamberi pret shumë nga qeveria e re e Kosovës, madje thotë se Lugina ka nevojë për projekt shtetëror e jo partiak, siç ka ndodhur deri më tani.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi thotë për KosovaPress se në Kosovë duhet të ofrohet një stabilitet afatgjatë politik, meqë zgjedhjet e shpeshta e kanë dëmtuar vendin. Ai pret nga Qeveria Kurti 2, projekt shtetëror për Luginën e jo partiak.

“Ne presim një qasje krejtësisht të re, të ndihmave konkrete dhe të drejtpërdrejta. Ka filluar diçka qeveria e kaluar me vendimin për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës, një vendim i dy qeverive Tiranë-Prishtinë që ishte më herët i aprovuar për krijimin e Fondit për Luginën e Preshevës. Ishin dy dokumente të rëndësishme, por megjithatë kanë mbetur vetëm dokumente. Akoma nuk kemi një plan nacional se si do të zhvillohen, as buxhet për ato dokumente. Pra, pres që kjo qeveri të ketë diçka më konkrete për Luginën e Preshevës. Një projekt shtetëror sepse ne tash kemi pasur projekte partiake nga Kosova për Luginën e Preshevës. Një projekt shtetëror se si duhet të ndihmohet Lugina e Preshevës”, thotë ai.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, deklaron se në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, Qeveria e Kosovës çështjen e Luginës së Preshevës duhet ta shtrojë pashmangshëm në tryezë.

Me të gjitha parametrat, marrëveshja eventuale me Serbinë do të thotë edhe normalizim i raporteve me këtë shtet. Dhe nuk mund të ketë normalizim të raporteve me një shtet, i cili cenon, diskriminon dhe faktikisht shpërngul një pakicë të shtetit tënd”, shton Kamberi.

Ai ngrit edhe çështjen e përdorimit të simboleve kombëtare. Thekson se shqiptarët në Serbi nuk mund të përdorin ato njëjtë si serbët, ani pse këto janë të garantuara.

“Po ndërton një precedent të rrezikshëm, i cili në vazhdimësi do të jetë burim i tensioneve mes shteteve. Nëse serbëve u jepet maksimumi i mundshëm, një maksimum që nuk ekziston as në standardet e BE-së, ndërkohë që Serbia vazhdon t’iu mohojë të drejta shqiptarëve elementare këtu. Atëherë këto janë burime të vazhdueshme të tensioneve sepse historia tregon që në Ballkan trajtimi i komuniteteve, trajtimi i pakicave ka qenë një ndër burimet e vazhdueshme të tensioneve mes shteteve. Pra, nëse dëshirohet paqe afatgjate, kjo është një temë të cilën qeveria e Kurtit duhet ta ketë parasysh”, vijoi Kamberi.

Në fund, Kamberi përmend edhe fjalimet e tij në Parlamentin e Serbisë dhe ballafaqimet me krerët institucionalë atje. Sipas tij, meqë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare janë afër, gjuha e krerëve institucionalë serbë do të ashpërsohet.

“Po mundohen që me kartën e Kosovës, e cila për 30 vjet e më tepër i shërben partive politike në Serbi për të fituar kredibilitet dhe për të fituar vota. Sidomos të asaj pjese të asaj Serbie nacionaliste dhe multi-nacionaliste, e cila temën e Kosovës e sheh si të pa zëvendësuar. Prandaj edhe ashpërsimi i gjuhës nga krerët shtetërorë mund të jetë çdo herë në rritje”, thekson ai. /Gazeta Sinjali/