Shaip Kamberi është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, por i padëshirueshëm aty. Gjatë kësaj jave, para presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në Kuvendin e Serbisë u kërkua arrestimi ose dëbimi i Kamberit.
Për qëndrimin e tij politik në Beograd tashmë e di secili , por Kamberi, nuk përton të pozicionohet edhe në raport me shqiptarët. Në një intervistë të zhvilluar së fundmi përveç kryeqytetit serb, ai ka çuar një mesazh edhe në Preshevë e Tiranë – “Për ne qendra është Prishtina”.
Shaip Kamberi përsëri ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë, kur Kuvendi i Serbisë debatoi gjerë e gjatë për Kosovën. Për shkak të qëndrimeve të tij, një deputete nga partia e Milloshevqit kërkoi që ai të arrestohet ose dëbohet.
Reagime aty s’pati pothuajse të gjithë u pajtuan, që shqiptari i vetëm në atë tempull jo aq demokratik duhet ta marrë “dënimin meritor”.
Paralelisht me të, një politikan nga Presheva, Kryetari Shqipërim Arifi po bënte një betejë të tij. I injoruar nga Kurti, Arifi udhëtoi drejt Tiranës, ku e priti Erion Veliaj ndërsa në Prishtinë gjeti mikpritje në selinë e LDK-së nga Nënkryetari Lutfi Haziri.
Për të gjitha këto Kamberi ka qëndrim.
Në një intervistë për Gazetën Express, ai thotë se për Luginën Prishtina është qendra.
”Pa Kosovën, Lugina do ta ketë të pamundur ekzistencën biologjike me një Serbi të këtillë”.
Kamberi e konfirmon interferimin e Qeverisë Kurti në Luginë për të krijuar një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare.
“Por nuk ia arriti, sepse disa mendonin se “Kosova nuk duhet të përzihet në punët e tona”. “Rebelimin” e Arifit, Kamberi e quan joserioz edhe pse është i kujdesshëm në fjalor.