image Kamberi: Adem Jashari luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit

Kosovë

Kamberi: Adem Jashari luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit

news image

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka folur për 23-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, duke thënë se kjo ditë nuk është vetëm i Prekazit dhe Kosovës por i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit.

Sipas tij 5 Marsi është ngjarje kundër shtypjes, rezistencës kundër shfarosjes dhe insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë.

“Prandaj 5 Marsi nuk mund të shlyhet. Sepse nuk është më i Prekazit. As i Kosovës. Është i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit.  Është Ngjarje e vegjëlisë kundër shtypjes, e rezistencës kundër shfarosjes, e insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë, që e kundërshton shtypjen. I Njeriut që e vlerëson e lirinë dhe barazinë më shumë se jetën”, ka shkruar Kamberi në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

5 MARSI NUK ËSHTË VETËM I PREKAZIT DHE I KOSOVËS. ËSHTË I TRASHËGIMISË BOTËRORE TË LUFTËS KUNDËR FASHIZMIT

Secila datë historike, botërisht, është rastësi. Nuk ka asnjë veçanti për 5 marsin para vitit 1998. Dhe nuk ka asnjë gjë që mund ta shlyjë rëndësinë e 5 Marsit pas vitit 1998.

Kështu pra, një veprim i një familje të zakonshme në Prekaz, bëhet Ngjarje që bartë në vete dimension universal. Sepse lufta e Jasharajve ishte e tillë – Luftë për liri e njerëzve të zakonshëm kundër tiranisë fashiste të superarmatosur dhe të uniformuar.

Kjo makineri vrasëse nuk kurseu asgjë. Të gjithë anëtarët e familjes u vranë, pa kursyer as fëmijët e as të moshuarit. Pra makineria nuk bënte luftë, por gjenocid. Sepse nuk donte fitoren, por zhbërjen.

Në anën tjetër Adem Jashari qëndroi në shtëpinë e tij, me familjarët e tij. Ishte i armatosur lehtë. Por kishte një armë shumë më të fortë: vendosmërinë për liri.

Kjo ngadhënjeu kundër makinerisë së trajnuar vrastare.

Prandaj 5 Marsi nuk mund të shlyhet. Sepse nuk është më i Prekazit. As i Kosovës. Është i trashëgimisë botërore të luftës kundër fashizmit.

Është Ngjarje e vegjëlisë kundër shtypjes, e rezistencës kundër shfarosjes, e insistimit të njeriut të zakonshëm për të qenë i lirë e barabartë, që e kundërshton shtypjen. I Njeriut që e vlerëson e lirinë dhe barazinë më shumë se jetën.

Adem Jashari luftoi si shqiptar i Kosovës. Por nuk luftoi vetëm për shqiptarët. Luftoi për të gjithë të shtypurit kundër çdo forme të fashizmit.

/GazetaSinjali/