Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar pas vendimit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cila ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “KlanKosovës” për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion duke shtuar se tash pala ankuese mund të parashtrojë padi në gjykatë, pasi rasti është mbyllur brenda Ministrisë.
Kajtazi ka thanë se kjo ditë është ditë zie për demokracinë, duke shtuar se diktatura mori formën më brutale kundër lirisë dhe demokracisë.
“Dite zie per demokracine. Diktatura sot mori formen me brutale kunder lirise dhe demokracise. Bojkot i punes se Qeverise!”, thuhet në reagimin e tij.
Ndërsa në njoftimin e Ministrisë ndër tjera u tha se përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar këto shkelje, nuk kanë shkuar deri në fund.
“Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë”, thuhet në reagim. “Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”
MINT-i po ashtu ka kujtuar se tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj “KlanKosovës” dhe pronarëve të saj.