Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka folur për akuzat e ish-këshilltarit të tij, Blerim Latifi, i cili kishte thënë se i ishin vjedhur votat për t’u bërë deputetë. Ai kishe akuzuar bashkëpartiakët e tij se kishin blerë vota për 5 euro apo edhe 10 euro.
Kur është pyetur për këtë cështje Veseli, ai ka thënë se ankesa të tilla ka nga të gjitha partitë.
“E meta e sistemit tonë zgjedhor, kur flasim për ankesa, është se ka zbraztësira shumë të mëdha. Një ditë para zgjedhjeve kam kërkuar nga përfaqësuesi ynë në KQZ që të kemi numërimin e votave për kandidat. Por s’na kanë përkrahur as LVV e as LDK-ja. Ju qan zemra shumicës së kandidatëve që vota e tyre preket. Nuk është vetëm Blerimi, ka edhe në partitë tjera ankesa. Janë Burim Ramadani e Besa Luzha. Është gjynah të flasësh për komisionerë. Duhet të personalizosh, të gjesh kush është personi dhe të gjykohet. Duhet të perfeksionohet më tepër transparenca në votime. Ka raste kur familjarët s’e votojnë një kandidat. Kjo duhet të përmirësohet”, u shpreh ai.
Kurse për deklaratën e Blerim Latifit, i cili ka thënë se Veseli ka mbetur vet, ky i fundit tha se “kurrë në jetë s’kam qenë vet”.
Tutje, Veseli tha se PDK-ja ka duruar kritika nga njerëz që kanë përfituar nga partia e më vonë e kanë sharë. Megjithatë, ai thotë se partitë që tani do të marrin pushtetin nuk durojnë.
“Ne kemi duruar shumë kritika përgjatë viteve, kemi duruar edhe sharje. Ka njerëz që kanë marrë privilegje nga PDK-ja, ndërsa e kanë sharë publikisht. Këta që po vijnë s’do të durojnë kritikën si ne”, tha Veseli.