Ani pse, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA shpk”, i cili dyshohet për përfshirje në vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ishte në stop-listë të Policisë së Kosovës, ai arriti të futej në Kosovë, duke i ikur policisë kufitare, raporton Gazeta Sinjali.
Shala i cili gjatë këtij muaji sfidoi sigurinë e Thesarit të Shtetit, gjatë ditës së sotme sfidoi edhe sigurinë kufitare të Kosovës, duke kaluar kufirin Kosovë – Shqipëri, përmes pikës kufitare në Vërmicë, pa u detektuar fare nga policia kufitare.
Pas hyrjes në Kosovë, ai është vetëdorëzuar në polici së bashku me avokatin e tij, Asman Hoxha, i cili tha se klienti i tij ndodhej në Turqi deri sot.
“Ky ka jetu në Kosovë, ashtu siç është treguar më herët përmes mediave. Ka udhëtu njëherë për një kohë të shkurtër në Turqi. Është kthyer vetë. Kemi ardhë unë me të bashkë, jemi paraqitur këtu në Polici”, ka deklaruar Hoxha.
Me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas intervistimit nga Policia e Krimeve Ekonomike, Shalës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Gazeta Sinjali/