Anëtarja e kabinetit të kryeparlamentares dhe presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit, Egnesa Vitia, ka reaguar ndaj nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, pas ofendimeve që ky i fundit i bëri në adresë të Osmanit, shkruan Gazeta Sinjali.
Vitia ka thënë se Veliu është turpi i shoqërisë, i cili aplikon bullizëm, seksizëm e mizogjini për të qenë protagonistë në politikë.
Ajo ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Veliut, si më e pakta “masë” që sipas saj mund të merret ndaj tij.
“Agim Veliu, je turp për shoqërinë tonë! Je i neveritshëm! Je seksist! Je i paskrupullt! Jemi të vetëdijshëm që këto janë momentet e fundit të ekzistencës tënde në skenën e politikës, por të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme! Më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt i menjëhershëm, e përgjigjen proporcionale me aktin tënd të fundit do të ta japin qytetarët shumë shpejt”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Menaxherja e zyrës së Osmanit ka thënë se Veliu nuk mund të jetë në krye të institucioneve të vendit dhe s’mund të jetë as përfaqësim i askujt në këtë shoqëri, sepse, sipas saj, ai është sinonim i gjithçkaje nga e cila ne duhet të distancohemi përfundimisht.
“Ditët i ke të numëruara”, ka përfunduar Vitia.
Ky reagim i kabinetit të Osmanit erdhi pasi që Veliu e ofendoi kryeparlamentaren për peshën e saj trupore, duke thënë me ironi se “ajo (Vjosa Osmani) është tepër e madhe dhe i duhet hapësirë shumë. Krejt kryesia me ia lëshu vendin, edhe s’di a e nxen”.
Deklarata e Veliut ishte kundërpërgjigje ndaj Osmanit, e cila tha se mundësia e vetme që ajo të rikthehet në LDK është shkarkimi i kryesisë së tanishme të kësaj partie, në të cilën bën pjesë edhe Agim Veliu./Gazeta Sinjali/