image Kabashi: Qytetarët s’kanë arsye të brengosen për situatën e krijuar në veri

Siguri

Kabashi: Qytetarët s’kanë arsye të brengosen për situatën e krijuar në veri

news image

Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, e cila është edhe eksperte e sigurisë, ka thënë se qytetarët e Kosovës s’duhet shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës për targat serbe.

Ajo ka thënë se nuk ka potencial real për një konflikt të mundshëm.

“Qytetarët gjatë kësaj kohe kanë qenë pala më e shqetësuar dhe më pak e informuar në detaje se çfarë po ndodh atje. Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se s’kanë arsye pse të brengosen për shkak se konteksti ku është duke u zhvilluar përshkallëzimi i situatës gjatë ditëve të fundit ka më shumë të bëjë me rolin destruktiv që Serbia ka në rajon sesa ka të bëjë me një potencial real për konflikt. Kjo duhet ripërsëritur te qytetarët duke marrë parasysh shqetësimet që janë krijuar te ata”.

“Në aspektin shtetëror, veriu i Mitrovicës është çështje e ndjeshme dhe ka qenë në vazhdimësi. Megjithatë, sa i përket reciprocitetit, Kosova ka të drejtë të plotë të ushtrojë të drejtën e saj karshi marrëveshjeve që ka pasë dhe s’është sekret që Serbia në vazhdimësi i ka shkelë marrrëveshjet dhe nuk i ka respektuar marrëveshjet sikurse ka vepruar Kosova, duke respektuar ato dhe pjesë që i kanë takuar asaj”.

Kabashi-Ramaj në Info Magazine ka thënë se si opozitë mbështesin pozitën për këtë vendim derisa për tensionet që u krijuan më pas, fajtoren e lënë Serbinë.

“Reciprociteti është një hap i rëndësishëm që administratat e Kosovës e kanë bërë në një formë apo tjetër. S’ka ndonjë hap të gabuar në aspektin që Kosova meriton të ketë në dispozicion zbatueshmërinë e marrëveshjes”.

/GazetaSinjali/