Anthony Joshua ka deklaruar se që nga fillimi kishte planifikuar ta mposhtte Kristian Prengën me nokaut, ndonëse boksieri shqiptar e vuri në vështirësi të mëdha gjatë raundit të parë.
Prenga e rrëzoi dy herë ish-kampionin e botës, por Joshua arriti të rikuperohej dhe në raundin e dytë siguroi fitoren me nokaut, pas një serie goditjesh të fuqishme.
Pas meçit, britaniku e vlerësoi paraqitjen e Prengës, duke e përshkruar atë si kundërshtar të fortë dhe të rrezikshëm.
“Prenga ishte i mirë dhe i fortë. Ai dëshironte të më nokautonte”, deklaroi Joshua për DAZN.
I pyetur se çfarë mendoi pasi u rrëzua vetëm pak sekonda pas fillimit të përballjes, Joshua tha se u përpoq të qëndronte i qetë dhe të priste momentin e duhur për të reaguar.
“E kisha planifikuar ta nokautoja, por dëshiroja ta bëja kur të vinte momenti i duhur. Për një çast, koha e tij erdhi para times dhe mendova: ‘Kjo nuk ishte pjesë e skenarit’. Duhej të qëndroja i fortë dhe i durueshëm. Momenti im erdhi në raundin e dytë”, tha ai.
Joshua shtoi se, pavarësisht situatës së vështirë në të cilën u gjend, nuk mendoi se përballja do të përfundonte ndryshe.
“Nuk mendova se mund të përfundonte ndryshe. E dija se do të ishte e vështirë, por në fund ia dola”, u shpreh britaniku.
Shumat e përfituara nga të dy boksierët nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, raportimet para meçit parashikonin se Joshua do të fitonte rreth katër milionë funte, ndërsa Prenga afërsisht një milion funte.
Pas fitores, Joshua pritet të përballet me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Tyson Fury, në një nga duelet më të shumëpritura të boksit britanik. Përballja është paralajmëruar për pjesën e fundit të vitit 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!