Sjellja e kohëve të fundit e Donald Trump ka qenë plotësisht e gabuar, deklaroi kryeministri britanik, Boris Johnson, duke e akuzuar kreun e SHBA-së se i kishte nxitur mbështetësit e tij me akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor, duke i inkurajuar ata të marshojnë për në Capitol Hill, transmeton Gazeta Sinjali.
“Sikurse sugjeroni, përsa i përket inkurajimit të njerëzve të sulmojnë Capitol-in, përsa kohë që presidenti amerikan vazhdimisht ka hedhur dyshime mbi rezultatin e një zgjedhjeje të lirë dhe të ndershme, unë besoj se kjo sjellje ka qenë krejtësisht e gabuar, ajo që presidenti Trump ka thënë për këtë është plotësisht e gabuar”, tha ai gjatë një konference për shtyp në Downing Street.
“Unë e dënoj pa rezerva inkurajimin e njerëzve për t’u sjellë në mënyrën e turpshme që ata bënë në Capitol”, theksoi kreu konservator.
Johnson shtoi se ishte shumë i kënaqur që Joe Biden tashmë ishte konfirmuar si presidenti i ardhshëm i SHBA-së.