Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson tha sot në Talford, në nisjen e manifestit zgjedhor të Partisë së tij Konservatore, se ai është pjesëmarrësi i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për t’i dhënë fund daljes së vendit nga Bashkimi Evropian.
“Për dallim nga të gjitha partitë e tjera që marrin pjesë në këto zgjedhje, ne do të implementojmë Brexit,” u tha Johnson mbështetësve.
Ai tha se partitë kundërshtare – Partia e Punës, Liberal Demokratët dhe të tjerët – do të sillnin vetëm vonesë të mëtejshme në Brexit dhe përfundimisht do të tradhtonin vullnetin e votuesve të shprehur në referendumin për Brexit në vitin 2016.
Johnson i ka kushtuar më shumë kohë udhëheqësit të Punës, Jeremy Corbin sesa përshkrimit të detajeve në manifest, duke tallur mendimin e tij se do të jetë neutral nëse do të mbahet një referendum i dytë për Brexit vitin e ardhshëm.
Konservatorët në manifest premtojnë të vendosin një marrëveshje për Brexit mbi marrëveshjen e Johnson me BE përpara 25 dhjetorit, miratimi i së cilës ka të ngjarë nëse Konservatorët fitojnë një shumicë në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Sidoqoftë, nëse ata nuk fitojnë një shumicë absolute në zgjedhje, do të jetë shumë më e vështirë për Johnson të përmbushë premtimin e përsëritur për zbatimin e Brexit, pasi partitë e tjera dëshirojnë ose të vonojnë daljen e tyre nga BE ose të braktisin procesin.
Më 12 dhjetor, britanikët do të zgjedhin 650 deputetë të Dhomës së Ulët, pasi Johnson vendosi për zgjedhje dy vjet më herët, me qëllimin për të fituar një shumicë absolute që do t’i lejonte atij të miratojë marrëveshjen e Brexit para 31 janarit, kur edhe skadon afati i largimit të vendit nga BE.