image Ministria e Shëndetësisë tregon cilat janë grupmoshat më të prekura nga koronavirusi në Kosovë

Kosovë

Pandemia/ Ministria e Shëndetësisë tregon cilat janë grupmoshat më të prekura nga koronavirusi në Kosovë

news image

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka publikuar disa të dhëna sa i përket gjendjes me koronavirus në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se deri më tash kategoria më e infektuar janë grupmoshat 20-29 vjeç dhe 30-39 vjeç.

Ai tutje ka thënë se ka më shumë të infektuar meshkuj sesa femra. Sipas tij deri tash janë 54% meshkuj dhe 46% femra.

Hoti ka shtuar se deri më 8 prill për koronavirus në Kosovë janë testuar 2,570 persona.

“Pozitiv kanë rezultuar 224 raste (35 prej tyre nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok). Të vdekur janë gjashtë persona, të shëruar 37 ndërkaq raste aktive 181”, ka shkruar ai.

Përmes njoftimit bëhet e ditur se shkalla e vdekshmërisë është 2.6%.

Hoti thotë se deri më tani, të kontaktuar dhe nën mbikëqyrje janë 3,882 raste.

“Kategoria që ka pasur më së shumti nevojë për trajtim spitalor janë grupmosha mbi 70 vjeçare. Meshkujt janë më shumë të prekur se sa femrat: 54% kundrejt 46%. Komuna më e prekur: Malisheva me 66 raste. Në tre ditët e fundit ka pasur tendencë të një rritjeje më të theksuar të rasteve pozitive. Me këto shifra, Kosova është brenda skenarit të mesëm epidemiologjik për Covid-19”, ka shkruar ai. /Gazeta Sinjali/