Dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen makabre të biznesmenit Bedri Rexhepi, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë deklaruar të pafajshëm në seancën gjyqësore për këtë rast që po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
I akuzuari Jetoni, siç mëson Sinjali nuk e ka pranuar fajësinë në disa pika, teksa vëllai i tij Nexhati në asnjë pikë, duke u deklaruar i pafajshëm në akuzën që i rëndohet.
Ata kanë dalë sot para gjykatës, pasi seanca e parë fillestare më 25 tetor ishte shtyrë për shkak se mbrojtja kërkoi që të pajisen me shkresa të lëndës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër vëllezërve Vllasaliu si të akuzuar për vrasjen e rëndë dhe për dëmtimin e kufomës së biznesmenit.
Para disa javësh, Prokurori Armend Hamiti që ka hetuar rastin e zhdukjes së biznesmenit nëpërmjet një konference për media, ka njoftuar se trupi i viktimës është gjetur më 30 shtator dhe se identifikimi i tij është konfirmuar me anë të ekzaminimeve antropologjike. Ai ka bërë të ditur se motivi i vrasjes ka qenë përfitimi financiar nga i ndjeri Rexhepi.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale, për fat të keq është i ulët, pasi sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30.000 euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha prokurori Hamiti.
Ndërsa avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, e ka cilësuar vrasjen e biznesmenit Rexhepi, si një nga krimet më makabre që kanë ndodhur në historinë e drejtësisë në Kosovë.
Berisha javë më parë deklaroi se vrasja është kryer në kushte pabesie dhe se tashmë i ndjeri Bedri Rexhepi, ishte vrarë me gjakftohtësi. Ai po ashtu ka thënë se vrasja e Rexhepit ishte planifikuar me muaj.
“Është një prej krimeve më makabare që ka ndodhur në historinë e drejtësisë, i kryer në kushte pabesie me një tradhti të gatuar me muaj e të ekzekutuar brenda ditës, për përfitime materiale. Shpresojmë që Gjykata do të arrijë të sjellë drejtësi”, ka deklaruar Berisha më 26 tetor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.