Pasardhësja e Angela Merkel, Annegret Kramp-Karrenbauer ka njoftuar se nuk po planifikon të kandidojë për kancelarinë gjermane në zgjedhjet e ardhshme federale dhe planifikon të tërhiqet nga pozita e drejtueses së Unionit Konservator Demokratik të Krishterë (CDU), kanë shkruar mediat gjermane, transmeton Gazeta Sinjali.
Njoftimi i befasishëm i Karrenbauer vjen në mes të një mosmarrëveshje të madhe të partisë së saj kundër ekstremit të djathtë, në të cilin delegatët e CDU në Gjermaninë lindore kanë kundërshtuar ndalesën e selisë qendrore të partisë për të bashkëpunuar me Alternativa fr Deutschland (AfD).
57 vjeçarja, Kramp-Karrenbauer, fitoi konkursin për të pasuar kancelaren Merkel si drejtuese e CDU-së në dhjetor 2018 dhe u pa si kandidate me shumë gjasa për të vazhduar kursin aktual të kancelares gjermane.
Por, Karrenbauer është përpjekur të ndërtojë një profil nën hijen e Merkel, çka ka bërë që ajo të duket e dobët edhe në sytë e bashkëpartiakëve të saj nga dega e partisë në Thuringia, të cilët së bashku me AfD-në votuan për të rrëzuar kryeministrin e shtetit, Bodo Ramelow, të së majtës Die Linke.
Vendimi i pazakontë i Merkel për të ndërhyrë në këtë aferë, duke njoftuar se ishte “e pafalshme” që partitë demokratike të fitojnë shumicën me ndihmën e Alternativës für Deutschland, bëri që të theksohej edhe më tej mungesa e autoritetit të Kramp-Karrenbauer, karshi kancelares Merkel.
Revista Der Spiegel të hënën në mëngjes raportoi se Annegret Kramp-Karrenbauer kishte thënë që qëndrimet e paqarta të bashkpartiakëve të saj ndaj AfD dhe Die Linke ishin arsye e dorëheqjes së saj si pasuese e kancelares Merkel./Gazeta Sinjali/